Drejtori i Policisë nuk dha garanci të mjaftueshme për mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së në Hagë, Gjyqtari mund ta marrë në pyetje
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, nuk është duke i dhënë garancitë e mjaftueshme për mbrojtjen në liri të ish themeluesve të UÇK-së, të cilët tash e njëmbëdhjetë muaj po mbahen në paraburgim në Hagë.
Lajme
Mehmeti nuk është përgjigjur në detaje nëse Policia e Kosovës, të cilën ai e drejton, mund t’i plotësojë kushtet specifike të kërkuara, ka kapacitete dhe është e gatshme për t’i monitoruar të akuzuarit në rast të kthimit të tyre në Kosovë për t’u mbrojtur në liri.
Ai ka dhënë një përgjigje të përgjithshme dhe të paqartë, e që nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u marrë në konsideratë nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake dhe Paneli i Gjyqtarëve të Apelit në Gjykatën Speciale.
Ky veprim i Drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, është komentuar nga mbrojtja e të akuzuarve, nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake dhe nga Paneli i Gjyqtarëve të Apelit, në shqyrtimin e kërkesave për lirimin nga paraburgimi të ish krerëve të UÇK-së.
Për këtë çështje flitet në vendimin e fundit të Panelit të Gjyqtarëve të Apelit lidhur me apelet e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve kundër vendimeve të Gjykatësit të Procedurës Paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim.
Duke folur për garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës, Paneli pajtohet me Gjyqtarin e Procedurës Paraprake se përgjigja nga Drejtori i Policisë, duke pasur parasysh karakterin e saj të përgjithshëm, nuk konstituon përgjigje zyrtare / ligjore, si e tillë, si një pranim për të zbatuar kushtet e propozuara.
“Paneli konstaton se nëse Gjyqtari i Procedurës Paraprake konsideron se përgjigja nga Policia e Kosovës nuk ishte mjaftueshëm e kënaqshme, atëherë ai duhet të kishte kërkuar nga Drejtori i Policisë për të marrë përgjigjen e detajuar që konsideronte se mungonte”, thuhet në vendimin e Panelit.
Më tej, theksohet se Gjykatësi i Procedurës Paraprake do të duhej ta bënte një gjë të tillë, posaçërisht pasi Drejtori i Policisë ishte ftuar shprehimisht nga mbrojtja për ta bërë këtë dhe se përgjigja e Drejtorit të Policisë nënkupton aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet.
“Paneli gjithashtu vëren se Gjyqtari i Procedurës Paraprake nuk ka dhënë arsye për të mos urdhëruar Drejtorin e Policisë që të japë një përgjigje të detajuar, pavarësisht se e pranon nevojën për të”.
Paneli pohon se Gjyqtari i Procedurës Paraprake gaboi duke mos e bërë këtë, pasi ky informacion do ta kishte vënë atë në një pozitë për të vlerësuar nëse Policia e Kosovës mund t’i zbatojë në mënyrë efektive masat.
Prandaj, Paneli ka vendosur t’ia kthejë çështjen prapa Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në mënyrë që të vlerësojë nëse Policia e Kosovës mund të zbatojë në mënyrë efektive masat e propozuara.