I paraburgosur dhe nën hetime, menaxheri i prokurimit në Viti kthehet në komunë dhe vazhdon me shkelje

Vetëm që të nënshkruhet kontratë me një kompani favorizuese, Komuna e Vitisë është e vendosur që të çojë deri në fund shkeljet ligjore për projektin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaçanik –Faza e II”.

Lajme

29/09/2021 20:20

Në fillim të muajit korrik, ishte arrestuar Fadil Abazi, menaxher i Prokurimit në Komunën e Vitisë.  Ai u paraburgos nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me menaxhimin e tenderëve dhe për këtë ka qëndruar në paraburgim 30 ditë, ndërsa ndaj tij është duke u zhvilluar procedurë hetimore.

Abazi është liruar para pak javësh dhe i njëjti është kthyer në komunë si menaxher i prokurimit, ani pse Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ia ka tërhequr licencën e menaxherit.

Abazi ka bërë një tjetër shkelje sot lidhur më tenderin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaçanik –Faza e II”, duke rekomanduar për nënshkrim të kontratës, në kundërshtim me ligjin, kompanitë që ishin shpallur fitues për këtë projekt.

Lidhur më këtë tender, një kompani ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nën pretendimin se ishte bërë shkelje kur ishte rekomanduar për kontratë grupi i kompanive “Pro& Co Group” Shpk, “Co Group” Shpk, “Company Eskavatori” Shpk, në vlerë prej 1, 952, 820.69 euro”. Komuna kishte bërë menjëherë  pezullimin e aktivitetit të prokurimit.

Por, sot kur kanë kaluar tre muaj pas ankesës, Komuna e Vitisë ka vendosur që të procedojë tutje duke e hequr pezullimin dhe duke rekomanduar për kontratë kompaninë e lartpërmendura.

“Komuna e Vitisë duke pasur parasysh ecurinë e aktivitetit të prokurimit lidhur më projektin Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaçanik Faza II Ritender, sipas kërkesës së Drejtorisë së financave dhe duke u bazuar në vendimin për dhënie pas rivlerësimit, dhe animimit të OE “Sallahu” në OSHP më datë 1.06.2021 (i cili ka qenë i pa përgjegjshëm) OSHP nuk ka vepruar sipas nenit 113. AK nuk ka nxjerr asnjë njoftim ose raport mbi ekspertizën e kësaj lëndë, po ashtu bazuar edhe në procedurat e afateve të vendimmarrjes sipas nenit 16 dhe 117 të LPP-s, si dhe nenit 98 paragrafi 1 i Ligjit si procedurë e përgjithshme admistrative Nr. L/05-031, por edhe mosveprimin e OSHP, siç u cek më lartë nenit 113 paragrafi 1 dhe neni 114, paragrafi 1”.

Ky konkluzion është nënshkruar nga Fadil Abazi, i cili është shënuar edhe si menaxher i prokurimit.

Nenet që ka përmendura, Abazi në konkluzion nuk kanë të bëjnë asnjëra nga to me heqjen e pezullimit, por kryesisht kanë të bëjnë me ecurinë se si shqyrtohet një ankesë nga OSHP-ja.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik 04/L-042, neni 112 e ka qartësuar se kush është autoriteti që e heqë një masë të pezullimit të tenderit dhe kur bëhet ajo.

“Efekti pezullues i ankesave: 1. Përveç nëse paneli përkatës shqyrtues nxjerr një vendim tjetër me shkrim dhe përderisa ta nxjerrë këtë vendim, dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë zbatimin e aktivitetit të prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë. 2. Pavarësisht nga paragrafi 1. i këtij neni të këtij ligji, nëse kërkohet nga autoriteti kontraktues, Kryetari i OSHP mund të nxjerrë urdhër për heqjen e obligimit për pezullimin automatik të aktivitetit të prokurimit nëse duke marrë parasysh pasojat e mundshme negative që mund të ketë pezullimi në të gjitha interesat që mund të dëmtohen duke përfshirë interesin publik dhe interesat e ankuesit, Kryetari vendos se pasojat negative që mund të ketë pezullimi i tejkalojnë përfitimet e mundshme. Para se të marrë çfarëdo veprimi mbi kërkesën e autoritetit kontraktues, ankuesit do t’i jepet mundësia që t’i dorëzojë argumente me shkrim Kryetarit të OSHP-së lidhur me atë se pse pezullimi nuk duhet të hiqet. Kryetari do të njoftojë ankuesin dhe autoritetin përkatës me shkrim për vendimin e tij. 3. Vendimi për heqjen e obligimit për pezullim të aktivitetit të prokurimit nuk e paragjykon dhe nuk ndikon në mënyrë negative në ankesën ose në ankuesin”, thuhet decitivishtë në nenin 112 të LPP.

Ndërkohë, nuk janë përmbushur kërkesat e asnjërit prej pikave që të hiqet masa pezulluese, pasi, ankesa nuk është trajtuar fare nga OSHP-ja.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga OSHP, lidhur me atë se pse nuk është caktuar akoma një ekspert shqyrtues për këtë lëndë dhe nëse vendimi i komunës ka qenë i ligjshëm apo i paligjshëm, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës së sotme. Por, edhe po të trajtohej ankesa, OSHP është pa bord drejtues tash e gjashtë muaj.

KRPP-ja ia kishte tërhequr licencën Abazit për shkeljet në këtë tender

Lajmi.net ka raportuar se Abazit i është tërhequr licenca e menaxherit të prokurimit mbi bazën e një kërkesë që e kishte bërë Organi Shqyrtues i Prokurimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.

Vendim: Anulohet Certifikata Profesionale për menaxherin e Prokurimit të Autoritetit Kontraktues KK Viti –z. Fadil Abazi. Arsyetimi: Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke u bazuar në Rregulloren Nr. 2/2017 në paragrafin 9 të nenit 25 të LPP-së ka parashtruar kërkesë pranë KRPP-së për anulimin e certifikatës profesionale të prokurimit, për menaxherin e Prokurimit të Autoritetit Kontraktues –KK Viti -Fadil Abazi. Kërkesa në fjalë (sipas OSHP-së) parashtrohet me arsyetimin se i lartcekuri në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit në AK-KK Viti për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi I rrugës Viti –Kërbliq –Ferizaj, faza II, ka bërë shkelje esenciale, për faktin se zyrtari në fjalë ka vendosur në dosjen e tenderit kërkesa diskriminuese dhe nuk e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit në platformën e prokurimit edhe pse ka pranuar kërkesë për rishqyrtim nga OE “Rahovica Comerc” me datë 11.11.2020, duke vepruar në kundërshtim me nenin 108/A paragrafi 2 I LPP-së, ka bërë shkelje lidhur me aktivitetin e prokurimit në fjalë, të iniciuar nga AK KK-Viti, e që pretendimet ankimore i janë aprovuar ankuesit edhe në rastin e shqyrtimit të ankesës nr. 1031/20, ku me vendim të OSHP-së është aprovuar ankesa sipas konstatimeve të raportit të ekspertizës nr. 102/20”, thuhet  në hyrje të vendimit të vendimit të Bordit të KRPP-së.

Kryetari i Komunës së Vitisë dha dëshmi të rrejshme që të mos i penalizohej menaxheri i prokurimit

Menjëherë pas vendimit të KRPP-së, Abazi ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës –KPMSHCK, duke kërkuar pezullimin e Vendimit të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik deri në shqyrtimin kryesor dhe vendosjen e ankesës.

Kryetari i Vitisë, Sokol Halili kishte dhenë një dëshmi të rrejshme vetëm që t’i kthehet licenca e prokurimit, menaxherit të prokurimit Fadil Abazi. Kryetari Haliti ka shkruar në letër, e cila është futur në ankesën e përfaqësuesit ligjor të Fadil Abazit se “Për shkak se në komunën tonë nga të gjithë të punësuarit, me licencë për prokurim është certifikuar vetëm zoti Abazi dhe duke pasur parasysh nevojën për zhvillimin e procedurave dhe lidhjen e kontratave kapitale që kemi të buxhetuara për vitin 2021, kërkojmë nga organi administrativ që konform dispozitave ligjore të procedurës së përgjithshme administrative të bëjë pezullimin e vendimit për revokim të Licencës z. Fadil Abazi duke mos paragjykuar përfundimin e gjykimit të çështjes nga organi në fjalë”, thuhet në provën e ankesës së Abazit, e cila është paraqitur edhe në shkresën e Kryetarit të Komunës së Vitisë përmes së cilës i njëjti mbështet kërkesën për pezullim të ankuesit.

Lajmi.net kishte raportuar se aktualisht janë edhe dy persona të licencuar me certifikatë profesionale të prokurimit të cilët punojnë në Komunën  e Vitisë, njëri nga ta është zyrtari Hajrush Kurteshi, i cili pas burgosjes së Abazit në korrik e ka ushtruar detyrën e menaxherit.

Dëshmia e rrejshme nga zyrtari publik është e dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Si u zgjodh kompania fituese në ritender?

Tenderi, të cilit komuna ia hoqi masën e pezullimit ishte tenderuar për të dytën herë. Herën e parë, Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte urdhëruar këtë komunë që ta kthejë nga fillimi procesin, ngase kishte vendosur në dosjen e tenderit disa kërkesa që favorizonin kompani të caktuara ose diskriminonin kompani të tjera.

Fillimisht në muajin prill, komuna shpalli fitues grupin e kompanive “Rahovica Comerc” & Quality Aspalt” & “Mirusha Company” & “Atc Com” –Ferizaj, me çmim 1. 863.133, 48. Komuna kishte përzgjedhur kompaninë e tretë më të shtrenjtë, pasi dy kanë qenë më të lira për rreth 150 mijë euro, për të dyja janë eliminuar nga komisioni komunale për arsyeje të ndryshme.

Pas një ankese që pati, në rivlerësimin e ri, komuna ka listuar arsyet e eliminimit  të konzorciumit “Rahovica Comerc” Shpk, “Quality Asphalt” Shpk, “Mirusha Company” Shpk. Sipas vendimit të ri, arsye e eliminimit ka qene se “Ju nuk keni plotësuar kërkesat sipas FDT. Nuk keni plotësuar kërkesën: Një (1) bachelor të gjeodezisë të licencuar, mungon përvoja e kërkuar prej 5 viteve: Lista e stafit prej 45 punëtorëve në tri vitet e fundit, nuk e keni kompletuar edhe pas ftesës. Marrëveshja e bashkëpunimit, noterzimit nuk konkretizon marrëveshjen, ne titull, është marrëveshje për qera”, thuhet në arsyetimin e eliminimit.

Konzercumi i shpallur fitues “Pro& Co Group” Shpk, “Co Group” Shpk, “Company Eskavatori” Shpk, në vlerë prej 1, 952, 820.69 euro” ka çmim më të shtrenjtë se të gjitha kompanitë tjera, pos një kompanie nga Malisheva.

Ne garë kanë qenë: Grupi i kompanive “Euro Abi”shpk& “Begisholli” –Tiranë –Viti me vlerë 1.888.599, 97 euro.

Grupi i kompanive “Pro&Co Group” & “Company Eskavatiri” –Kllokot 1.952.820,69 euro.

Grupi i kompanive “Sallahu” & Sa-Sallahu” –Kaqanik 1.719.660, 79.

Grupi “El-Bau” & “Florin G” & “Limons Staneci” –Gjilan 1.717.735,80 euro.

Grupi i kompanive “Rahovica Comerc”& “Quality Asphalt” & “Mirusha”& “ATV COM” –Ferizaj, me çmim 1. 863.133, 48.

Kompania “Ndërtimi Ing” shpk –Malishevë 2. 033.278. 35 euro.

Pas zgjedhjes së këtij konzerciumi, në OSHP ishte ankuar një kompani duke konsideruar se ajo nuk i përmbushte kërkesat një mori kërkesash që komuna vetë i kishte vendosur. Komuna e kishte pezulluar procedurën, dhe sot ka marr vendim të kundërligjshëm që të heq pezullimin pa e trajtuar OSHP-ja ankesën.

Komuna nuk e mori parasysh Agjencinë Kundër Korrupsionit

Me datë 7 prill 2021, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte lëshuar një opinion për Komunën e Vitisë duke konsideruar se janë bërë disa shkelje në njoftimin për kontratë “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq-Kaçanik Faza II –Ritender”.

AKK-ja kërkonte që komuna të ndërmerrte veprimet e nevojshme për evitimin e shkeljeve të cilat binin ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga platforma E-Prokurimi ka vërejtur se në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit , në nenin III.2.4) Kapacitete teknike dhe profesionale, autoriteti kontraktues ka kërkuar: OE të ofrojë listë me staf e të punësuar, min 60 punëtorë. Dëshmia e kërkuar dokumentare: Operatori Ekonomik duhet të sjell listën e së paku 30 punëtorëve origjinal nga ATK për tri vitet e fundit nga Njoftimi për kontratë. Kërkesë kjo për të cilën AKK konsideron se nuk është në pajtim me dispozitat e Ligjit në fuqi për prokurimin publik. Më saktësisht me nenin 69. Sipas dispozitave në fuqi, autoriteti kontraktues mund të kërkojë minimumin e mesatares së fuqisë punëtore dhe stafit menaxheria për secilin nga 3 vitet e fundit, ku si dëshmi mund të kërkojë një deklaratë apo raport për fuqinë punëtore mesatare dhe numrin mesatar të personelit udhëheqës të operatorit ekonomik për secilin nga tri vitet e kaluara”, thuhet në opinion e AKK-së.

Tutje aty thuhet se “Agjencia Kundër Korrupsionit konsideron se një kërkesë e tillë e vendosur është diskriminuese dhe nuk u mundëson operatorëve tjerë të cilët kanë një numër minimal të fuqisë punëtore të ofertojnë për këtë kontratë”.

“Duke cekur një kufizim të tillë, autoriteti kontraktues favorizon vetëm operatorët ekonomik të cilët kanë këtë numër të punëtorëve ose më tepër edhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët tjerë të cilët kanë një nunër të kënaqshëm të punëtorëve”, thuhet në ndër tjera në opinion e AKK-së, në të cilin në fund është konsideruar se shkeljet e tilla nuk duhet të lejohen në aktivitete e prokurimit, andaj AKK-ja ka rekomanduar që të evitohen ato, duke i njoftuar të gjithë operatorët ekonomik të cilët kanë tërhequr dosjen e tenderit.

“Po ashtu ju njoftojmë se lidhur me këto të gjetura do të njoftohet Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik”, thuhet në fjalinë e fundit të AKK-së.

Sipas dokumenteve të ngarkuar në E-Prokurim për këtë projekt, lajmi.net ka parë që prokurimi komunal nuk e kishte zbatuar fare opinionin e AKK-së, por ka proceduar ashtu siç e kishte nisur, sipas të cilave kritere edhe ka shpallur fituesit.

Shkeljet e mëdha në procedurën e parë që aktivizuan hetuesinë

Fillimisht, Komuna e Vitisë, njoftimin për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit e kishte publikuar në sistemin më datë 2 tetor 2020.

Para se të shpallej fituesi, disa kompani ishin ankuar në Komunën e Vitisë se në dosjen e tenderit janë vendosur kritere diskriminuese. Komuna ua ka hedhur poshtë pretendimet, ndërsa ka bërë korrigjimin e disa kritereve dhe dosjen e ka ngarkuar në e-prokurim. Duke qenë të pakënaqura me korrigjimet e komunës, kompanitë janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje në kriteret e vendosura dhe ka nxjerr vendim, ku e obligonte komunën që të bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit. Komuna e respektoi këtë vendim dhe bëri disa ndryshime në dosjen e tenderit, por jo ashtu siç e udhëzoi OSHP-ja.

Më datën 3 dhjetor 2020, komuna ka njoftua për shpalljen e fituesit.

Fitues është shpallur kompania “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”. Oferta e tyre ishte 1. 989. 808, 29 euro. Pati oferta edhe më të lira, por ato u vlerësuan si të pa përgjegjshme nga ana e prokurimit komunal.  (Pra, siç shihet komuna ka vendosur në rivlerësimin e fundit që të shpërblehen kompanitë e herës së parë).

Më këtë vendim nuk ishin pajtuan disa kompani, pasi konstatuan se komuna nuk kishte bërë ndryshimet e nevojshme siç kishte udhëzuar OSHP-ja, për më tepër kishte përzgjedhur edhe një kompani që nuk i plotësonte kërkesat dhe se disa prej kritereve i ishin përshtatur kompanisë fituese.

OSHP-ja për të dytën herë trajtoi kërkesat e tyre dhe më datë 28.12.2020, nxori vendim ku e urdhëronte komunën të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe të anulojë krejt aktivitetin e prokurimit, duke thënë se “nëse autoriteti kontraktues ka interes për këtë aktivitet të prokurimit ta ritenderojë konform dispozitave të LPP-së”, dhe për këtë vendim urdhëroi palët që të ankohen vetëm në gjykatë dhe jo më në komunë apo OSHP.

Zyra e Prokurimit të Komunës së Vitisë, vendosi të respektojë vendimin e OSHP-së, duke bërë publikim për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Por, jashtë çdo procedure ligjore, më datën 27 janar 2021, prokurimi komunal ngarkoi në e-prokurim një dokumentin i cili thotë se: “Komuna e Vitisë, pas ankesës se një kompanie dhe Vendimit, nr 01/2021, shpërblen me kontratë, Pro& Co Group; Company Eskavatori në vlerë totale 1, 989. 808, 29 euro”.

Në vendimin e dytë OSHP-ja nuk kishte lenë mundësi anekseje, kishte rekomanduar palët që nëse ankesa t’i drejtohen Gjykatës Themelore -Departamentit për Çështje Admistrative. Por, një kompani u ankua në komunë duke mos u pajtuar me anulimin e aktivitetit të prokurimit. Komuna nuk e hodhi poshtë menjëherë ankesën, por vendosi që tenderin ta kthejë në rivlerësim, ani pse kishte bërë njoftim për anulim të aktivitetit të prokurimit, konform udhëzimit të OSHP-së. Rrezoi pretendimet e kompanisë ankuese dhe shpalli përsëri fitues kompaninë “Pro& Co Group”.

Më këtë rast, autoriteti kontraktues bëri dy shkelje: Nuk respektoi vendimin e OSHP-së dhe tentoi që ta anulojë/ta shpallë të pa vlefshme vendimin e OSHP-së.

Më pas komuna duke vepruar në frikë se mund t’i tërhiqet licenca menaxherit të prokurimit vendosi të anulojë përsëri procedurën e prokurimit.

Edhe në këtë vendim menaxheri i prokurimit ka bërë shkelje flagrante, pasi procedurën e anuloi Zyra Ligjore e Komunës dhe jo vetë menaxheri i prokurimit.

Grupi i kompanive që kishte fituar herën e parë “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”, në ofertën e dytë –ritender ka vendosur çmim Mbi 35 mijë euro ofertë më tënshtrejtë, ani pse dosja e tenderit në herën e dytë është korrigjuar, ku janë hequr disa pozicione.

Lidhur me veprimet e  kundërligjshme të herës së parë nga Komuna, policia e krimeve ekonomike është duke e hetuar rastin, dhe më pas OSHP kishte kërkuar revokimin e licencës s menaxherit të prokurimit që të cilën e kishte aprovuar KRPP.

Komuna po e sfidon ligjin për biznesmenin e afërt me LDK-në

Lajmi.net kishte raportuar se pronari i kompanisë “Pro& Co Group”, Florent Emini është i afërt me zyrtarë të LDK-së.

Megjithëkëtë, sipas ueb-faqes së ARBK-së pronarë me letra e kompanisë është Armenda Beqiri Emini, e cila është bashkëshortja e Florentit, por ky i fundit shihet në fotografitë e publikuara ne facebook nga kompania, si dhe ka të vendosur numrin e tije të telefonit në ueb faqen e arbk-së.

Florenti është vëllai i ish zëvendës ministres së Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini e cila ishte emëruar në qeverisjen e kryeministrit Kurti, si emërim nga kampi i LDK-së.

Fatbardha Emini ka qenë kandidate për deputete të LDK-së në zgjedhjet e fundit nacionale. Atë e ka mbështetur edhe vëllai i saj, Florenti Emini. Me herët ka qenë asambliste e LDK-së në Viti dhe zëdhënëse e Komunës.

Menaxheri i rikthyer pak ditë pasi qëndroi në burg për një tender

Fadil Abazi, menaxher i Prokurimit në Komunën e Vitisë dhe Florim Ramaj zyrtarë i Komunës së Vitisë, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me menaxhimin e tenderëve, kanw qëndruar 30 ditë në paraburgim. Gjykata kishte vendosur t’u caktoj masën e paraburgimit prej 30 ditësh nw fillim tw muajit korrik 2021.

Në seancën dëgjimore të mbajtur me 6 korrik në Gjykatën e Gjilanit, Prokurori Isuf Sadiku kishte deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit e kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, e që këtë dyshim prokuroria tha ta ketë të mbështetur në prova.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Fadil Abazi, në cilësinë e personit zyrtar, menaxher i Prokurimit në Komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, me dashje ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur detyrat e përcaktuara me ligj. Në kërkesë thuhet se i pandehuri gjatë dhënies së tenderit “Asfaltimi i rrugëve rurale për LOT I”, ka bërë urdhërpagesë për shtrimin e rrugës me asfalt dhe ka paguar gjithsej 11,100.75 €, dhe pastaj për të njëjtën rrugë, ka nënshkruar urdhërpagesë, për shtrim me zhavorr në vlerë prej 6,870.00 €, pra, pas shtrimit me asfalt ka bërë pagesë për shtrim me zhavorr, me të cilin veprim pagesë prej 6,870.00 €, e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë. I pandehuri pastaj ka lëshuar urdhërpagesë për asfaltimin e rrugës “Berjanët” në fshatin Pozheran, në vlerë prej 18,890 €, pastaj po për të njëjtën rrugë, ka nënshkruar urdhërpagesë në vlerë prej 2,877.00 €, për shtrimin me zhavorr, pra pas shtrimit te rrugës me asfalt ka bërë pagesë për shtrim me zhavorr, me të cilin veprim – pagesë në vlerë prej 2,877.00 €, e ka dëmtuar Komunën e Vitisë. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/