Të dyshuarit për vrasjen e 50-vjeçarit në Gjilan janë në arrati, trupi i viktimës dërgohet për obduksion
Një person nga Bujanovci është vrarë këtë të diel në një kafene të Gjilanit. Drejt viktimës dyshohet se kanë shtënë dy persona të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe janë në kërkim nga policia.

Lajme
Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Ismet Hashani, ka thënë se kur kishte ndodhur vrasja kishte shumë njerëz afër dhe se policia ka marrë shumë dëshmi deri tani.
Në ora 22:20 trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Insitutin e Mjekësisë Ligjore.
“Ju njoftojmë se rreth orës 19:45 të ditës së sotme ka pasur të shtëna me armë zjarri në Gjilan – te parku qytetit në një kafiteri. Personi mashkull i moshës 50- vjeçare dyshohet se është nga Bujanovci ka qenë duke pirë kafe në kafiteri dhe aty kanë ardhur dy persona, të cilët kanë shtënë me armë zjarri dhe kanë ikur në këmbë në drejtim të stacionit të autobusëve. Të gjitha njësitë janë angazhuar dhe vendi i ngjarjes është siguruar, njoftohet se viktima është pa shenja jete”, tha Hashani.