Gjithçka gati për HardhFest

Po bëhen përgatitjet e fundit për fillimin e edicionit të 20 të festivalit të vjeljes së rrushit në Rahovec i njohur si HardhFest, i cili do të mbahet nga data 3 deri 5 shtator.

ShowBiz

25/08/2021 13:52

Ekipi organizativ ka shpalosur sot programin e festivalit, i cili do të fillojë me parakalimin e mekanizmave bujqësorë, i njohur si karnavali, në qendrën e Rahovecit e deri në konakun ku do të mbahen aktivitetet kryesore të HardhFest.

Drejtori artistik i HardhFest, Garadlin Shtavica ka bërë të ditur se në koncertet e festivalit sivjet ndër të tjera do të përformojnë Alban Skënderaj, Eneda Tarifa, Minatori, Mentor Haziri, Grupi Na, Magnituda & Friends.

“Qëllimi kryesor i HardhFestit është promovimi i rajonit të vreshtarëve, verëtarëve, promovimin e verave të Rahovecit, promovimin e objekteve kulturore të trashëgimisë që gjenden në komunën e Rahovecit. Pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të HardhFest është edhe koncerti i cili mbahet mbrëmjeve në Rahovec ku ka shumë interesim për këtë aktivitet. Si zakonisht HardhFest sjell yje të ndryshme të muzikës në festival, qoftë vendor, të rajonit dhe ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Dea Luma, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun, ka shpalosur detaje nga programi i sivjetmë i HardhFest.

“Gjatë tri ditëve të festivalit, si ditën ashtu edhe në mbrëmje do të jetë panairi i verëtarëve dhe vreshtarëve ku do të prezantohen produktet e rrushit verës dhe rakisë, do të ketë vetë performanca të ndryshme nga DJ të njohur si dhe u kemi dhënë mundësinë edhe këtë vit DJ të ri, të cilët do të promovohen. Gjithashtu nuk do t’i lëmë anash aktivitetet tradicionale ku do të jetë si gjithmonë garant në vjeljen e rrushit, gara në shtrydhjen e rrushit dhe me ato produkte që do t’i nxjerrim nga këto gara do të demonstrimi i pjekjes së rakisë që është një prej aktiviteteve më atraktive të festivalit”, tha Luma.

Edhe sivjet nuk do të mungoj aktiviteti i njohur si HardhTour, ku vizitorët do të kenë mundësi të shohin edhe monumentet e vjetra kulturore të Rahovecit.

Nora Boshnjaku përgjegjëse nga komuna e Rahovecit, thotë se kjo komunë në vazhdimësi ka qenë e interesuar ta rrisë përkrahjen e këtij festivali, pasi që përmes tij ekspozohen vlerat tona të trashëgimisë kulturore.

“Komuna e Rahovecit në vazhdimësi ka qenë shumë e interesuar që ta rrisë përkrahjen për këtë festival, pasi aty ekspozohen vlerat tona të trashëgimisë dhe kulturës, por edhe për prodhuesit tanë në këtë rast vreshtarët dhe verëtarët kanë shumë mundësi të ndryshme që të krijojnë kontakte të ndryshme me vizitorët që e vizitojnë komunën e Rahovecit për këto tri ditë. Fillimisht dua të flas për procedurat edhe financimin që i është bërë kësaj radhe për festivalin ‘HardhFest’, Drejtoria për Pylltari dhe Zhvillimin Rural e ka shpallur një thirrje publike për subvencionimin e OJQ-ve në fushën e bujqësisë të cilat merren me subvencionimin e OJQ-ve që merren me organizimin e festave tradicionale dhe kulturore, në këtë rast komisioni pas një pune të mrekullueshme që ka bërë, gjithmonë duke u bazuar në kriteret, standardet dhe dispozitat e rregullores së Ministrisë së Financave ka përzgjedhur OJQ-në ‘HardhFest’, pra një OJQ që i ka përmbushur gjitha kriteret dhe kushtet,” tha Boshnjaku.

HardhFest mbështetet nga Komuna e Rahovecit dhe organizohet nën përkujdesjen e kryetarit Smajl Latifi. Po ashtu ky festival do të mbahet nën masat antiCOVID të miratuara nga Qeveria e Kosovës.