Pamja “fytyrë komardare” e shkaktuar nga mbingarkesa me mbushës të injektuar në fytyrë
Çfarë është një “fytyrë komardare”?
Fun
Për të mësuar më shumë rreth këtyre procedurave, Living.al ka intervistuar mjeken Gera Tagani.
Dr. Gera ka nisur studimet në mjekësi të përgjithshme në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më pas në Rotterdam, Hollandë. Masterin për mjekësi estetike e ka përfunduar në Londër në vitin 2017. Angazhimin profesional e ka ndarë në kohë mes Tiranës, SHBA, Stambollit, Londrës dhe Hamburgut. Aktualisht vijon specializimin për kirurgji plastike rikonstruktive duke ndarë kohën profesionale mes Los Angeles, SHBA-së dhe Shqipërisë, shkruan Living.
Ndërsa njerëzit me kalimin e viteve plaken, është pikërisht fytyra ku vërehen shenjat e para të plakjes, transmeton lajmi.net.
Një nga mënyrat për të ruajtur një pamje rinore dhe të freskët është injektimi i mbushësve në fytyrë. Fatkeqësisht, në disa raste ky proces mund të prodhojë rezultate të kundërta nga pritshmëritë tona. Madje mund të gjendemi përpara një situate aq delikate, ku kufiri ndarës mes rezultatit optimal dhe atij të cilin e quajmë “fytyrë konardare”, ose faqe “ketrush”, është aq i padukshëm, sa edhe personazhe të famshëm si Madonna, Nicole Kidman, apo Janice Dickison kanë rënë viktima të mbidozës së injeksioneve me mbushës.
Çfarë është një “fytyrë komardare”?
Është pamja që shkakton një injeksion i tepërt me mbushës në fytyrën e një personi. Kjo çon drejt një imazhi të mbingarkuar, joestetik dhe aspak natyral të fytyrës, për rrjedhojë konturet e saj fryhen.
Ndërsa mbushësit janë një mënyrë perfekte për të parandaluar dhe luftuar shenjat e plakjes, si edhe për të rritur përsëri vëllimin e fytyrës suaj, është shumë e rëndësishme që përpara se të ndërmerrni një hap të tillë, të vizitoni një profesionist të fushës, sepse ai/ajo e di sasinë e duhur të mbushësit që duhet injektuar në fytyrën tuaj për të mundësuar një pamje sa më natyrale.
Shpesh ndodh që, profesionistët jo të specializuar ne fushën e kirurgjisë plastike injektojnë më shumë mbushës se ç’është e nevojshme për të shtrirë lëkurën e fytyrës suaj dhe në të tilla raste, do të rekomandohej më mirë një tërheqje e fytyrës, me anë të nderhyrjes kirurgjikale se sa të mbingarkoheshit me mbushës të injektuar.
Sipas një prej kirurgëve plastikë më të njohur në Beverly Hills, duhet të konsultoheni me specialistët e duhur para aplikimit të injeksioneve të mbushjes dermale të fytyrës, për t’u siguruar në këtë mënyrë për dukjen natyrale dhe për të shmangur faqet e “ketrushit” me të cilat kaq shumë të famshëm përfundojnë pas mbidozës me injeksione.
Përdorimi i fillersave të lëkurës në mënyrën e duhur dhe për të shmangur pamjen e “fytyrës pufe”
Kur përdorni mbushës me injeksion për të luftuar plakjen, teknika e realizuar është gjithçka. Gjëja kryesore për të mbajtur mend teksa synojmë korrigjimin e humbjes së vëllimit është se lëkura humbet elasticitetin ndërsa plaket. Kjo do të thotë se lëkura nuk mund të ketë të njëjtin vëllim të viteve të rinisë.
Nëse i drejtohemi personave jo profesionistë për ta rikuperuar këtë fenomen, kjo mund të çojë në rezultate të paparashikueshme të tilla si gunga dhe fryrje jo estetike për syrin.
Rritja e vëllimit të fytyrës tuaj, nuk do të thotë domosdoshmërisht që duhet të injektohen sasi të mëdha të mbushësit dermal, edhe pse si fillim mund të duket joshëse. Mbidoza e fytyrës me mbushës të injektuar do të na çojë drejt një pamje jo natyrale dhe do të dëmtojë edhe më shumë elasticitetin e lëkurës.
Mënyra se si funksionojnë procedurat e injektimit të mbushësve të lëkurës së fytyrës ka të bëjë me zbutjen e rrudhave nëpërmjet injektimit direkt në to.
Kur e bëni këtë, sasi të vogla mbushëse duhet të vendosen nën lëkurë për të shtuar vëllim në atë zonë dhe në fund përfitojmë një pamje natyrale dhe një ngritje të lehtë të fytyrës.
Cilat janë rreziqet e injektimit të mbushësve?
Lajmi i mirë është se mbushësit dermalë janë zakonisht të sigurt për t’u përdorur. Sidoqoftë, ekzistojnë disa rreziqe që mund të paraqiten, të tilla si një reaksion alergjik ndaj mbushësit ose një pamje e padëshiruar kur injektohet përtej masës së duhur. Këto rreziqe janë arsyeja pse ju kurrë nuk duhet të aplikoni mbushës të fytyrës pa u konsultuar më parë me një mjek profesionist. Mjekët që e marrin seriozisht punën e tyre dhe janë profesionistë të fushës gjithmonë përdorin mbushës që janë aprovuar nga FDA.
Mbushës të lëkurës ose Yndyrë (dhjam)
Si mbushësit e lëkurës ashtu edhe vetë dhjami i pacientit mund të përdoren për t’i dhënë një pamje rinore. Sidoqoftë, të dy këta mbushës mund të çojnë në probleme nëse nuk aplikohen siç duhet.
Përdorimi i dhjamit në trup si mbushës i fytyrës është bërë një trend i njohur në Hollywood.
Ndërsa nuk ka ndonjë efekt anësor nga përdorimi i dhjamit nga barku në fytyrën tuaj, duhet të keni ende kujdes.
Yndyra në barkun tuaj ka tendencë për të fituar peshë më shpejt se yndyra në zonën tuaj të fytyrës. Si rezultat, është e mundur të përfundoni me një pamje të pabarabartë në fytyrë pasi dhjami që keni injektuar nga barku juaj zgjerohet më shpejt sesa pjesa tjetër e dhjamit në fytyrën tuaj.
Ju duhet të dini që “fytyra komardare” është një term i përdorur prej kohësh për të përshkruar pamjen e çuditshme dhe të fryrë që rezulton nga një sasi e tepruar e mbushësit që injektohet në fytyrë, për shembull – karikaturë të buzëve; faqet e ekzagjeruara; lëkurë e shtrirë apo me shkëlqim të hasur rëndom në Instagram dhe TikTok.
Ndërsa fytyrat e tejfryra mund të shërbejnë si raste për të qeshur e për t’u argëtuar në mediat sociale, prevalenca e tyre në rritje është një shqetësim shumë i madh në industrinë e estetikës.
Ne kemi arritur në atë pikë ku njerëzit kanë aplikuar mbushës në mënyrë rutinore për 10 vitet e fundit [ose më shumë] dhe kanë pësuar akumulimin e shtresës së xhelit në fytyrat e tyre me anë të shiringave të shumta dhe ndërhyrjeve të përvitshme, që janë kthyer në norma sjelljeje dhe për rrjedhim mbushja në mënyrë konstante e fytyrave ka sjellë një shtrembërim të dukshëm shoqërisht.
Si kemi arritur të kemi një numër kaq të madh fytyrash të mbingarkuara?
Duke prekur realitetin e përditshëm dhe duke patur kontakt të ngushtë e të vazhdueshëm me pacientë dhe me mënyrën se si ata ndikohen nga trendet e ndryshme kam arritur në përfundimin se evoluimi i perceptimit të së “bukurës” është shndërruar në çështje madhore për shumë njerëz.
Sa më shumë shohim një imazh të përsëritur të diçkaje, aq më e natyrshme dhe normale bëhet, aq më shumë ndikohemi për të parë si një etalon bukurie që duhet ndjekur, apo aplikuar. Me kalimin e kohës, pas një sërë trajtimesh apo ndërhyrjesh, madje edhe ndryshimeve tepër të hollësishme në pjesë të ndryshme të fytyrës, në shumicën e rasteve njerëzit priren të harrojnë se nga e kanë nisur. Pamja e tyre e re dhe e ndryshuar totalisht bëhet realiteti i tyre dhe ata vazhdimisht kërkojnë ta ruajnë dhe ta përmirësojnë atë – duke u larguar gjithnjë e më tepër nga origjina e bukurisë së tyre, e cila natyrshëm ka lindur bashkë me ta, shpesh pa e kuptuar fare që përfundimisht i janë futur një rruge pa kthim dhe e kanë humbur identitetin e tyre.
Atë që deri dje e kishim parë vetëm në tapetin e kuq, tani po e shohim kudo, sepse mediat sociale e promovojnë dhe normalizojnë këtë trend.
Unë mendoj se po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm trendi i mbingarkesës me injektime të fytyrës nga persona jo profesionistë, amatorë të fushës, të cilët nuk respektojnë dozat që duhen injektuar, cilësinë e produktit dhe përmasat e fytyrës së gjithësecilit.
Është një keqkuptim popullor se injektimet me mbushës janë një lloj trajtimi mirëmbajtës, të cilave duhet t’u kthehemi vazhdimisht çdo gjashtë muaj.
Ekspertët thonë se kjo mendësi është kthyer në një parim themelor të programeve të trajnimit për injektimet me mbushje nga industri të ndryshme të prodhimit të tyre.
Kompanitë e medikamenteve, mënyra se si ato reklamojnë produktin, po mundësojnë gjithnjë e më tepër idenë se sa më shumë injektime të aplikojmë, aq më mirë është. Madje arrihet deri aty në operacione PR-i sa shumica e pacientëve që bëjnë të mundur reklamimin derë më derë mund të përfitojnë nga 15 shiringa mbushëse dhuratë.
Injektorët ashtu si çdo xhel tjetër kanë një jetëgjatësi unike dhe të pëkohshme, mbushësi i acidit hialuronik (HA), i cili është mjaft i hollë, me molekula të lidhura disi lirshëm, zhduket pas katër deri në gjashtë muaj, ndërsa mbushësi Y, një pelte e fortë, e lidhur ngushtë, mund ta zgjasë efektin e tij për 12-18 muaj.
Këto opinione për jetëgjatësinë e injektorëve janë plotësisht arbitrare, të pabazuara në prova, ose mbështetur në eksperimente jashtëzakonisht të këqija.
Në studime të ndryshme, subjektet zakonisht nuk ndiqen përtej afateve përfundimtare të provës për të vlerësuar kohëzgjatjen e vërtetë të mbushësit. Megjithatë, këto përllogaritje e detyrojnë pacienten/in të pyesë: ” Për sa kohë do të zgjasë rezultati i injektimit të mbushësit?”, duke e keqinformuar rregullisht.
Si të mos mjaftojë, personat jo profesionistë që i aplikojnë këto injektime, menjëherë u rezervojnë seancën e radhës referuar informacioneve të pabazuara shkencërisht.
Kompanitë cilësore të prodhimit të mbushësve të fytyrës me injektim pohojnë se ky xhel e zgjat efektin e tij një vit dhe se ne profesionistët për këtë arsye përdorim produkte të kësaj kategorie, pasi duam të bëjmë më të mirën e mundshme për pacientët tanë, ne duam që ata të ruajnë pamjen e tyre origjinale dhe natyrale dhe të mos u duhet të rifillojnë nga zero dhe të riinvestojnë nga kreu.
Në shumicën e rasteve, kur pacientët rikthehen tek profesionisti muaj më vonë, i gjithë mbushësi i tyre nuk është zhdukur, ka një sasi që mbetet dhe saktësisht kjo mbetje varet nga tipi i pacienti, metabolizmi i tij, sasia e mbushësit të injektuar, vendi ku është injektuar, natyra e vetë xhelit. Pra, shumë faktorë ndikojnë në jetëgjatësinë e xhelit të injektuar dhe e vërteta është se mjekët nuk e kanë idenë e qartë se sa zgjasin këto efekte.
Ndërsa nuk ekziston asnjë mjet apo mënyrë për të matur mbushësin e mbetur në një fytyrë, profesionistë të njohur të anatomisë mund ta zbulojnë atë, të paktën në një farë mase, gjatë një provimi fizik. Mjekët më të zotë përdorin teknologjinë e imazhit, si MRI dhe ekon ultrasound, të cilat studiuesit i kanë përzgjedhur kohët e fundit për të gjurmuar mbushësin e vjetër të mbetur nën lëkurën e fytyrës. Në disa raste, ne po hasim mbushës që zgjasin mbi 10 vjet, në ultratinguj, por meqenëse kjo teknologji nuk përdoret zakonisht në praktikë, askush nuk skanon në mënyrë rutinore fytyrat para se të injektojë mbushësin e për rrjedhojë mbushësi i ri shtresohet vazhdimisht mbi të vjetrit dhe grumbullimi tyre po shkakton probleme serioze.
Shenjat dhe simptomat e një fytyre të tejmbushur (të mbingarkuar me injektues)
Së pari, dallohet shtrembërimi i dukshëm fizik i anatomisë natyrore. Megjithatë, siç e theksova më lart perceptimi ynë mbi atë çfarë ngjan natyrale gradualisht po ndryshon. Ndërsa karakteristika të caktuara, si buzët e tejmbushura bëhen gjithnjë e më të përhapura, ato po rivendosin normat shoqërore dhe po i bëjnë normat anatomike të librave shkollorë, herë pas here, të pamjaftueshme. Akoma ekziston një vijë e hollë, e lakueshme midis asaj që është e dëshirueshme dhe deviantes.
Ndonjëherë ajo që e shohim si të mbingarkuar nuk është fryrje e pastër, por mënyra e çuditshme se si fytyra lëviz kur mbushet me injektues. Fytyra e njeriut është një instrument i akorduar imët, me jastëkë dhjamorë, muskuj dhe lëkurë, që rrëshqasin në një mënyrë apo në një tjetër në harmoni të plotë me njëra tjetrën si një makineri e përsosur.
Por nëse injektoni një mbidozë xheli HA në makinerinë e fytyrës, ajo nuk do të rrëshqasë ose të sillet natyrshëm në të. Lëvizja e fytyrës kufizohet dhe në këtë mënyrë përfitojmë tipare dhe shprehje të shtrembëruara. Faqet e përmasave të mëdha shtypin sytë, duke prishur formën e tyre dhe kjo vihet re më së shumti kur buzëqeshni.
“Buzët suxhuk” ndikojnë mënyrën e të folurit. Disa pacientë të cilët i kanë mbingarkuar me xhel të injektuar buzët e tyre, nuk mund t’i formojnë fjalët siç duhet dhe kanë vështirësi në të shprehur. Muskujt që rrethojnë gojën dhe janë përgjegjës për krijimin e tingujve të freskët dhe të rafinuar nisin të ndihen të frustruar nga mbidoza e xhelit, që po deformon lëvizjen e tyre.
Muskujt dëmtohen veçanërisht kur mbushësi injektohet shumë sipërfaqësisht dhe kjo shkakton një efekt domino që ndikon kanalet tona limfatike. Nëse mbushësi vendoset në mënyrë jo të duhur, ai mund të pengojë kontraktimet normale të muskujve të fytyrës, të cilat mundësojnë rrjedhjen e lëngjeve limfatike. Enët limfatike normalisht kanë forcë shumë të ulët të tkurrjes, kështu që është e lehtë që ato të pengohen. Në zona të caktuara, presioni i madh i mbushësit të mbivendosur gjithashtu mund të pengojë rrjedhën limfatike, duke kontribuar në ënjtje afatgjatë.
Për më tepër, kur mbushësi i acidit hialuronik, i cili tërheq dhe mban shumë herë peshën e tij në ujë, nuk depozitohet aq thellë, kjo mund ta bëjë vetë lëkurën të duket e fryrë, e brumosur dhe e trashë. Veçanërisht, ndërsa dezinfektuesit e HA degradojnë, ata marrin ujë duke ndryshuar turgorin e fytyrës dhe nivelin e saj të hidratimit në atë stad, që një sy profesionisti me përvojë e dallon nëse ka patur, apo jo më parë injektime me mbushës.
Dua të nënvizoj diçka në lidhje me presionin e ujit, që shkon përtej pamjes së një lëkure normale. Uji i grumbulluar nga xheli i injektuar HA mund të ndryshojë ndjeshëm fytyrën, brenda dhe jashtë. Fytyra fillon të duket më e holluar me ujë me kalimin e kohës, muskujt fryhen dhe nuk funksionojnë mirë dhe nyjet limfatike në varësi të zonës së injektuar bllokohen dhe fytyra nuk kullon mirë. Ajo jo vetëm, që po tërheq më shumë ujë [për shkak të HA], por edhe nuk mund të lëshojë ujë, kështu që njerëzit thjesht duken më të mëdhenj në moshë dhe marrin një pamje më të rëndë.
Shkarkimi i mbushësit për t’u kthyer në vijën fillestare
Sapo mjekët diagnostikojnë një fytyrë të mbingarkuar me injektues, ata zakonisht sugjerojnë shpërndarjen e tepërt të HA me një enzimë injeksioni të quajtur hialuronidaza, e cila fillon të funksionojë menjëherë, duke shkrirë pjesën më të madhe të mbushësit të vjetër brenda 24 orëve, apo më shumë dhe mundëson rikthimin e pacientëve në fazën fillestare. Hialuronidaza ndikon vetëm në acidin hialuronik. Nuk ka antidot të besueshëm për vëllimet me injeksionë të bëra nga materiale të tjera, si hidroksilapatiti i kalciumit (aka Radiesse) ose acidi polik-L-laktik (Sculptra).
Ndërsa aplikimi i një enzime duket si një rregullim i thjeshtë dhe i mjaftueshëm, pasojat mund të jenë vërtetë shqetësuese, veçanërisht nëse dikush ka aplikuar injeksione për një kohë të gjatë dhe mbushësit kanë maskuar në mënyrë efektive pjesën më të madhe të plakjes së pashmangshme të fytyrës.
Më besoni është traumatike për të përshkruar procesin e tretjes së mbushësit. Gjatë gjithë kësaj kohe, fytyra është mbushur jo vetëm me mbushës të injektuar, por me edhe me ujë, kështu që statusi i saj hidratues do të ndryshojë në mënyrë dramatike kur të tretni dhe dehidratoni fytyrën.
Kur një profesionist takohet për të këshilluar pacientë të mbingarkuar me injektues në fytyrë, ai shpesh thotë me vete: “së pari duhet të kuptoj nëse mund ta kapërcejnë traumën.”Nëse ata nuk janë kandidatët e duhur për shpërndarësit e xhelit, ai në vend të kësaj metode do të përdorë mikroneedling RF për të ndihmuar në përshpejtimin e metabolizmit të mbushësit, pra nuk e shkrin mbushësin, por mundohet ta denatyrojë pak atë dhe në thelb fillon procesin e degradimit.
Nëse dikush ndihet gati t’ja nisë nga e para dhe indet janë në gjendje të mirë, do të injektohen tretës të holluar kudo që shihet e arsyeshme.
Bazuar në përvojën time, zona poshtë syve dhe buzëve janë zonat, ku është më e lehtë për tu tretur mbushësi i injektuar, për shkak të anatomisë dhe aftësisë së tyre të lindur për tu rikthyer nga hialuronidaza. Zonat më “të pabesa” janë faqja e përparme (afër hundës) dhe kudo rreth ose mbi plikat nasolabiale.
Ndërsa protokollet e hialuronidazës ndryshojnë, në varësi të pacientit, atij që e aplikon dhe mbushësit të përdorur (lloji specifik, sasia, vendosja), ekspertët thonë se shumica e HA-së mund të reduktohet në një ose dy seanca. Doktorët profesionistë zakonisht janë të mendimit se pacientët duhet të presin të paktën dy javë ose më shumë para se të injektojnë mbushës të freskët. Personalisht më pëlqen që gjithçka e injektuar keq apo në mënyrë të gabuar të asgjësohet dhe të pastrohet, t’i jap kohë lëkurës së fytyrës, që të kthehet në arkitekturën e saj natyrale, duke i dhënë mundësinë të qetësohet pak, pra të rigjejë veten, në mënyrë që kur ta rishoh pacientin, me të vërtetë të kem të bëj me një bazë të re .
Kjo hapësirë dy javore lejon gjithashtu, që indet të rihidratohen pjesërisht dhe të rikuperohen nga “dëmtimi dehidratues” i shkaktuar nga hialuronidaza para se të injektohet mbushësi i ri. Pacientët në përgjithësi duken më mirë gjatë kësaj periudhe, madje edhe pa shtimin e HA të freskët, sepse gjithçka ka filluar ti kthehet normalitetit dhe fytyra ka filluar të gjejë vetveten.
Debati i hialuronidazës: A mund të shkaktojë dëme të qëndrueshme?
Nuk mund të diskutojmë për hialuronidazën pa folur mbi polemikat aktuale në lidhje me tretësin.
Në vitet e fundit, një numër pacientësh kanë pretenduar se kanë pësuar humbje të përhershme të vëllimit nga hialuronidaza, duke këmbëngulur se trajtimi për mbingarkesën e HA është më i keq sesa vetë fenomeni. Përgjigja standarde nga mjekët është se nuk ka studime të bazuara, që provojnë aftësinë e enzimës të shkatërrojë në mënyrë të pariparueshme indet njerëzore dhe ndërsa hialuronidaza mund të prishë acidin hialuronik të vetë trupit pranë vendit të injektimit, HA rigjenerohet aq shpejt saqë dëmtime të përhershme ose deformime në lëkurë nuk ka shumë të ngjarë të ndodhin. Profesionistët zakonisht ia atribuojnë çdo dëm të mundshëm plakjes natyrore, shenjat e së cilës mund të bëhen të dukshme kur hiqet mbushësi i injektuar pas shumë vitesh, por gjithçka është presupozim. Askush nuk ka prova shkencore për të faktuar diçka të tillë.
Efektet e hialuronidazës duken me kalimin e kohës kur pacientët largohen nga karrigia jonë, kështu që vetë nuk besoj se ndodhin ndryshime afatgjata kur enzima përdoret në mënyrën e duhur, duke mos abuzuar me dozën dhe duke mos ndryshuar në këtë mënyrë përbërjen e fytyrës. Por përsëri, theksoj se, nuk ka asnjë provë se hialuronidaza mund të zvogëlojë HA-në bazë në një mënyrë të dukshme.
Mënyra e duhur për të rikuperuar një fytyrë pas tretjes së HA
Për të shmangur rikthimin përsëri në shpenzimet e tepruara, ekspertët kërkojnë vetpërmbajtje, një rimbushje të ngadaltë dhe të arsyeshme e fytyrës. Dy ose tre javë pas tretjes, injektoni sasinë minimale të mundshme të mbushësit për të ndihmuar në rihidratimin e indeve. Unë aplikoj pak injeksion, pres që zona të hidratohet, mandej i kërkoj pacientit rikthimin pas dy javësh për të aplikuar pjesën tjetër të injeksionit. Në këtë mënyrë jemi në pozitë të favorshme për të parandaluar rënien në atë cikël ezaurues mbushjeje dhe tretjeje. Por ne shkojmë edhe më tej, anojmë drejt nënkorrektimit dhe ofrojmë ndihmën tonë vetëm kur rezultatet janë zbehur dukshëm dhe duhet të mbrojmë estetikën e re të pacientëve,
Për të përfituar një qasje sa më të mirë drejt shërimit nga mbidoza me mbushës aplikohen pika të vogla të HA-së në vende të ndryshme për të përfituar nga fuqitë e saj të hidratimit.
HA është lloji i vetëm i mbushësit që mund të dërgojë ujë në indet e thara, por është pikërisht kjo zonë e lagësht që tenton të krijojë telashe me kalimin e kohës. Në të vërtetë, problemi i një fytyre të mbingarkuar shkaktohet nga keqpërdorimi i mbushësit të xhelit. HA është fajtori kryesor, është mbushësi më i përdorur në SH.B.A. dhe i vetmi që lidh ujin dhe inkurajon ënjtjen.
Të zënë ngushtë në këtë grackë, disa individë janë të fokusuar më shumë te biostimulatorët, si Radiesse dhe Sculptra. Shpesh ata rezervojnë HA për buzët, zonën poshtë syve dhe herë pas here për një vijë të gdhendur thellë në zonën nasolabiale. Në shumicën e rasteve përdoret Radiesse për të rritur strukturën e kockave duke konturuar kornizën përgjatë faqeve, nofullës së poshtme dhe mjekrës. Këto japin një pamje shumë të bukur dhe lejojnë që fytyra të ruajë karakterin e saj në vend që të duket e fryrë.
Në punën time adresoj gjithashtu resorbimin e kockave të skeletit të fytyrës, i cili i ka fillesat e veta në vitet ’30, duke bërë që lëkura të pastrohet ndryshe në të gjithë fytyrën – me qëllimin për t’i bërë njerëzit më pak të varur nga mbushësit e xhelit.
Kur është e përshtatshme, synohen zona të thella të humbjes së vëllimit me Sculptra që rritin kolagjenin.
Unë jam gjithashtu një adhuruese e biostimulatorëve. HA-të përdoren më shpesh, por mendoj se të gjithë duhet të marrim në konsideratë mënyrat alternative përpara se të nisim udhëtimin drejt botës së injeksioneve.
Meqenëse biostimulatorët kanë efekte të pakthyeshme, ato duhen aplikuar me shumë saktësi dhe kërkojnë njohuri shumë të mira të anatomisë.
Kur është momenti i duhur që të ndalojmë së përdoruri mbushësit?
Ndërsa disa mjekë janë të mendimit se një dozë modeste e HA-së është pothuajse thelbësore për të rimbushur indet e prekura nga tretësi, të tjerët parapëlqejnë ta konsiderojnë këtë moment për të rivlerësuar fytyrën në gjendjen e saj të re.
Në vend që të ndërmarrin hapin për të aplikuar një shiringë në mënyrë refleksive, profesionistët synojnë të kuptojnë nëse pacienti është në të vërtetë një kandidat i mirë për të injektuar mbushës në fytyrë.
Një nëngrup i madh i fytyrave të mbidozuara me mbushës janë ata njerëz që kërkojnë të rinovojnë fytyrën e tyre dhe ajo që ndoshta u duhet në radhë të parë ēshtë forcimi, ngritja dhe ripozicionimi i strukturave të fytyrës që janë varur. Me fjalë të tjera: një tërheqje e lëkurës së fytyrës.
Kur dikush më thotë se nofullat e tij, ose pjesa e poshtme e fytyrës, me të vërtetë e shqetëson dhe përtacia e tyre shkon përtej asaj që mund të arrij me konturim ose maskim me anë të aplikimit të mbushësve, atëherë përgjigjja ime është gjithmonë: lloji i ndërhyrjes kirurgjikale.
Pasi të jemi cliruar nga HA-ja e padëshiruar, nuk duhet domosdoshmërisht të zgjedhim midis injeksioneve me mbushës dhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Ekziston një mundësi tjetër, megjithëse më pak konvencionale për tu pranuar. Rreth 30% e pacientëve që kanë tretur mbushësin e injektuar keq në fytyrën e tyre janë të lumtur të rimarrin fytyrën e tyre të mëparshme edhe nëse ajo mbart disa rrudha. Për këta njerëz, shpërbërja e mbushësit të keq është një procedurë shumë e kënaqshme. Ata/ato janë të vetëdijshëm se kishte diçka disomorfike në fytyrën e tyre të mbingarkuar, që nuk u pëlqente më ose nuk i identifikonte më si vetvetja. /Lajmi.net/