SHSKUK-ja rrezikoi pacientët duke neglizhuar blerjen e oksigjenit për spitalet, tani kërkon furnizim urgjent
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës-SHSKUK e rrezikoi jetën e pacienteve duke e vendosur në profeci furnizimin me oksigjen.
Lajme
Për shkak të situatës tejet emergjente në të cilën ndodhën spitalet në Kosovë, SHSKUK-ja shmangu procedurën e hapur për furnizim me oksigjen. Kjo ngase kontrata paraprake është tejkaluar përtej të gjitha limiteve. Para pak ditëve, SHSKUK-ja, anuloi tenderin me procedurë të hapur, duke arsyetuar në mënyrë profetike se “pas rënies së rasteve me COVID, ka rënë kërkesa për furnizim me oksigjen …”.
Të premten e kaluar, ky institucion, nëpërmjet procedurave emergjente, pa publikim të kontratës, ka dërguar ofertë tek tri kompani duke kërkuar që ato të dërgojnë ofertat e veta menjëherë që më pas të shpërblehet me kontratë kompania e përgjegjshme me çmimin më të lirë, shkruan lajmi.net.

Sasia e kërkuar e oksigjenit për këtë kontratë është pak mbi 1 milion litra dhe mjetet e ndara janë rreth 570 mijë euro. Mësohet se në kontratë do të vendoset një klauzolë ku do të shkruhet se “furnizimi me oksigjen do të zgjatë deri në zgjidhjen e epilogut nga OSHP për tenderin me procedurë të hapur”.
Në muajin mars 2021, kur rastet e përhapjes me COVID-19 ishin shumë të larta, SHSKUK hapi një tender të vlerës së madhe për furnizim me oksigjen. Pasi nxori një fitues të tenderit, ky institucion e anuloi procesin pas pak jave, menjëherë kur rastet e infektimit ranë në Kosovë. Arsyetimi i anulimit ishte se nuk ka shumë nevojë për oksigjen.
Patën garuar tri kompani, “Medical Group” SHPK, çmimi me tvsh 1976000,00 euro, “Liri-Med” SHPK, çmimin me tvsh 2,392,000.00 euro, “Medica” Shpk, çmimi me tvsh 192400,00 euro. Është zbatuar procedurë e hapur dhe vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 2,444,000.00 euro për 24 muaj.
Më 15 maj, është rekomanduar për kontratë kompania “Medica”, pasi kishte çmimin më të lirë dhe u vlerësua e përgjegjshme.
Më 15 qershor, prokurimi ka bërë njoftim për anulimin e procedurës së prokurimit.
Në arsyetimin e anulimit është shkruar se: “Në bazë të kërkesës të datës 14.06.202, të dërguar përmes ZKA-së nga njësia kërkuese Barnatorja Qendrore, me të cilën njofton për gjendjen momentale të shpenzueshëmris së oksigjenit medicinal në SHSKUK. Ndër të tjera specifikohet se pas zvogëlimit të rasteve të infektimit me COVID-19, është zvogëluar shpenzushëmria e oksigjen medecinal, rrjedhimisht është zvogëluar kërkesa për oksigjen medicinal nga njësit e SHSKUK-së. Me të njëjtën shkresë kërkohet nga sektori i prokurimit që të ndërpritet procedura ekzistuese, në mënyrë që të rishqyrtohet sasia e oksigjenit sipas gjendjes reale”.
Lajmi.net ka mësuar se kontrata e lidhur më kompaninë “Medical Group”, vitin e kaluar, për furnizim me oksigjen është shpenzuar mbi 110 për qind.
Megjithëkëtë, bazuar në dokumentet e publikuara në e-prokurim, pas anulimit të aktivitetit të prokurimit, më datë 8 korrik, kompania e rekomanduar për kontratë “Medica” ka parashtruar ankesë në OSHP kundër vendimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, pasi i ishte refuzuar kërkesa për rishqyrtim nga SHSKUK-ja. Kompania ka pretenduar se janë shkelur një sërë nenesh të Ligjit të Prokurimit Publik. Eksperti i OSHP-së e ka shoshitur ankesën dhe i ka dhënë të drejtë kompanisë ankuese thuajse në të gjitha pikat, dhe ka rekomanduar Panelin e OSHP-së që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim, pasi ka konsideruar se anulimi nuk është bërë mbi arsyeshmërin e LPP-së.
Lajmi.net duke u thirrur në burimet e veta kishte raportuar se, pas anulimit të këtij tenderi, SHSKUK pritet të procedonte me tender me procedurë të negociuar, dhe do të kërkohej sasi më të vogla për oksigjen.
Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga SHKUK-ja, se sa do të jetë kohëzgjatja e saktë e tenderit emergjent dhe se çka do të ndodhe me tenderin me procedurë të hapur nëse Paneli i OSHP-së (kur të formohet) do të rekomandojë të nënshkruhet kontrata? Dhe, nëse është marrë ndonjë masë ndaj zyrtarëve që kanë rekomanduar anulimin e tenderit pasi ishte rekomanduar një kompani, kësisoj duke rrezikuar furnizimin me oksigjen për spitalet? Por, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje. /Lajmi.net/