Gërvalla bisedon me homologen nga Senegali, dakordohen për bashkëpunim ekonomik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim virtual me homologen e saj nga Republika e Senegalit, znj. Aïssata Tall Sall.

Lajme

11/08/2021 11:34

Ministrja Gërvalla, ka falënderuar kryediplomaten e Senegalit për bashkëpunimin dhe raportet e shkëlqyeshme mes dy vendeve.

Senegali është vendi i parë në kontinentin afrikan që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ministrja Gërvalla ka vlerësuar faktin që ky shtet ka mbështetur Kosovën vazhdimisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Gjatë këtij takimi palët janë dakorduar që të shohin mundësitë për thellim të bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet marrëveshjeve konkrete. Shkëmbimet tregtare, eliminimi i taksave të dyfishta janë parë si hapa fillestar që mund të ndërmerren në raportin dypalësh”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Temë diskutimi ishte edhe çështja e menaxhimit të pandemisë Covid-19.

Nga ana e saj, ministrja e Jashtme e Senegalit, Aïssata Tall Sall, ka ritheksuar qëndrimin mbështetës të shtetit të saj karshi Kosovës, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe procese të tjera. /Lajmi.net/