Revani me shurup portokalli – Receta tradicionale me një shije moderne!

Revania është një ndër ëmbëlsira më të vjetra shqiptare.

Lifestyle

08/07/2021 14:40

Vështirë se mund t’i rezistosh shijes së saj të butë, të shkrifët, të ëmbëlsuar me sherbet. Në çdo shtëpi shqiptare ëmbëlsira e revanisë është më e dashura e të gjitha recetave.

Përbërësit

1 gotë me miell gruri

½ gotë me sheqer

1 gotë me miell misri për ëmbëlsira

4 vezë

1 gotë vaj

1 pako pluhur pjekës (e gjeni në markete)

200 gr kos

2 vanilje

2 lugë mjaltë

lekurë portokalli

Përgatitja e sherbetit

2 gota ujë

2 gota sheqer

1 gotë uji me lëng portokalli

(I ziejmë të gjitha bashkë për 10 min dhe i heqim mënjanë që të ftohet)

Përgatitja e revanisë

Në një tas të madh të bollshëm rrahim vezët.

Më pas shtojmë sheqerin dhe mjaltin dhe vijojmë rrahjen edhe për 5 minuta.

Në vijim, shtojmë vajin, kosin, si dhe lëkurën e portokallit.

Në një tas tjetër, hedhim miellin e misrit për ëmbëlsira dhe atë të grurit, hedhim gjithashtu edhe pluhurin pjekës dhe vaniljen.

I përzjejmë të gjitha bashkë dhe i shtojmë tek masa e vezëve.

I rrahim për 2-3 minuta të gjitha bashkë dhe e hedhim të gjithë masën në tepsi.

Ëmbëlsirën e fusim në pjekje në furrë, në temperaturën 170 gradë.

E lëmë të piqet për 35 minuta derisa merr në sipërfaqe ngjyrë të kuqërremtë.

Sapo e nxjerrim nga furra, i hedhim sherbetin e vakët.

Në mënyrë që të përthithë të gjithë masën e sherbetit sa më mirë e shërbejmë tre orë pasi i kemi hedhur sherbetin.

Për Përgatitjen e Sherbetin

Shtoni, ujin, lëngun e portokallit dhe sheqerin, përjzeheni dhe lëreni të marrë valë derisa masa të trashet pak në formën e shurupit. /Lajmi.net/