Ministrja Rizvanolli merr pjesë në Takimin Informal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Takimin Informal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ku diskutuan për sektorin e energjisë në vendet përkatëse.
Lajme
Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, mori pjesë në takimin ku ishte pjesëmarrës edhe Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopač si dhe Zëvendës Drejtori, Dirk Buschle, transmeton lajmi.net.
Në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë, theksohet se në takimin që u mbajt virtualisht, është diskutuar për amandamentimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kornizën e Energjisë dhe Klimës për vitin 2030 si dhe hartimin e rrugës për targetin e dekarbonizimit deri në vitin 2050.
“Gjatë fjalimit të saj, Ministrja Rizvanolli ka theksuar që Kosova e vlerëson procesin e reformimit të Traktatit dhe që Kosova është pjesë e tij që nga viti 2005 kur UNMIK-u ka nënshkruar marrëveshjen në kuadër të institucioneve të Kosovës kurse në 2008 institucionet e Republikës së Pavarur të Kosovës kanë filluar të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e Traktatit duke përfshirë këtu edhe kontribut ndaj buxhetit të Sekretariatit në Vjenë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ministrja ka kërkuar zyrtarisht që të ndërrohet emri i Republikës së Kosovës në Traktat për të shmangur çfarëdo pasigurie ligjore mbi të drejtat dhe përgjegjësitë. /Lajmi.net/