Dyshime për spiunazh rus gjatë stërvitjes së NATO-s në Shqipëri
Mësohet se Vladislav Cherkasov ka deklaruar se kishte si destinacion qytetin e Durrësit, kohë kjo që përkonte me stërvitjen ushtarake të “Defender Europe 21” dhe pikërisht ky fakt ka shtuar dyshimet për ardhjen e tij në Shqipëri.

Lajme
Burime për Euronews Albania, bëjnë të ditur se në kuadër të masave të sigurisë së mbarëvajtjes së stërvitjes “Defender Europe 21” është mbledhur informacion për një qytetar nga Rusia, i cili ka hyrë më 12 maj në pikën e kalimit kufitar në Muriqan dhe pas kontrollit i është gjetur një dron.
Ai është një ndër dy qytetarët rusë që kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa Prokuroria e Tiranës e ka vënë nën hetim si të dyshuar për spiunazh.
Euronews Albania mëson se 47-vjeçari Cherkasov u largua nga vendi ynë tri ditë pasi mbërriti në qytetin e Durrësit.
Trupat e mbërritura nga 26 shtete, nën drejtimin e amerikanëve zhvilluan operacione stërvitore në portin e Durrësit, bazën ajrore të Kuçovës, Berat, Zall-Herr, Bizë, Pashaliman dhe bazën ajrore të Farkës.
Stërvitja e “Defender Europë 21”, që u mbajt nga datat 1 maj deri më 14 qershor kishte natyrë mbrojtëse dhe përqendrohej në parandalimin e agresioneve ndërsa përgatiti forcat tona për t’iu përgjigjur krizave nëse është e nevojshme.
Shqipëria ishte një ndër 16 shtetet ku u zhvillua stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 21”. Vendi ynë u përzgjodh si një nga shtete e tjera për shkak të vendndodhjes strategjike dhe faktit se ka qenë një partner i vlefshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitesh.