Krem karamel i ftohtë në tavë – Ëmbëlsira e ditës

Krem Karameli është një ëmbëlsirë delikate, plot finesë dhe shije fantastike.

Lifestyle

10/06/2021 16:49

Shija e krem karamelit është tërësisht e lehtë dhe butë, aq sa nëse e gatuan në shtëpi vështirë se mund të rrish pa ngrënë të paktën dy të tillë.

Fantastik në shoqërimin e kafesë, ekspres qoftë apo turke, apo edhe çajra të ndryshëm gjithashtu.

Mund të kombinohet e shoqërohet gjithashtu edhe me fruta të freskëta, sidomos me shegë apo luleshtrydhe.

Për përgatitjen e karamelit

150 gramë sheqer

50 ml ujë

3 pika lëng limoni

Për përgatitjen e kremit  

1 l qumësht

1 gotë ujë me sheqer

6 kokrra vezë

Dy lugë të vogla vanilje

Procesi i përgatitjes

Përgatisim karamelen duke hedhur në një enë sheqerin dhe ujin. I vendosim në zjarr deri sa të marrë ngjyrën kafe të errët të karameles.

Ashtu siç është e nxehtë dhe karamelja është duke pluskuar e hedhim në enën apo kupat e aluminit ose qelqi të trashë ku do ta pjekim.

Nga ana tjetër nisim përgatitjen e kremit. Hedhim në një enë vezët, sheqerin dhe vaniljen dhe shtojmë pak nga pak qumështin e nxehtë duke i trazuar.

Sigurohemi që qumështin e nxehtë të mos e hedhim menjëherë pasi priten vezët.

Masën e përgatitur e shtojmë tek ena ku kemi hedhur karamelen e shkrirë.

Enën me krem karamel e vendosim në tepsi në të cilën hedhim një gotë të madhe me ujë.

I fusim në furrë për pjekje me 180 gradë për 30 minuta derisa kremi të mpikset.

Pasi fikim furrën i lëmë edhe pak në ngrohjen e furrës dhe kur e servirim, sipas preferencës mund ta përmbysim në mënyrë që pjesa e sipërme të jetë e mbuluar nga karameli. /Lajmi.net/