Haziri: LDK mund të jetë befasia më e madhe e zgjedhjeve të shtatorit

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur për procesin politik nëpër të cilin po kalon partia e tij.

Lajme

27/05/2021 22:17

Haziri me anë të një postimi në Facebook ka thënë se LDK duhet të hyjë në një proces reformues të pakthyeshëm sipas tij në të gjitha nivelet, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, LDK duhet të zhvishet nga enklavat politike, në aspektin e kërkimit të shpëtimtarëve politikë.

Nëse ndodhin të gjitha ato që Haziri pretendon se duhet ndodhur brenda LDK, ai thotë se kjo parti mund të jetë befasia më e madhe e zgjedhjeve lokale.

Postimi i plotë:

LDK duhet të hyjë në një proces reformues të pakthyeshëm, në të gjitha nivelet. Në këtë situatë nuk është e lehtë sepse për herë të parë e kemi humbjen historike dhe është hera e parë që e majta ideologjike e ka marrë besimin e popullit.

LDK duhet të zhvishet nga enklavat politike, në kuptimin e kërkimit të shpëtimtarëve politikë. Ne do të luftojmë që t’i rikthejmë bastionet tona, por fitorja në Komunat ku kemi qenë edhe më herë fitues, domethënë fitore e betejave të vogla.

LDK duhet ta ruaj atributin e partisë urbane, duhet shtrihet fuqishëm në kuptimin e ndikimit të madh dhe të rikthehet kultura elitare politike.

Fatkeqësisht, partitë tona janë ‘fabrika të llafeve’, ku vazhdimisht kërkohet fajtori për ta ‘gozhduar’. Kjo kulturë e të bërit me gisht duhet të largohet dhe të ndërtohet një logjikë uniteti. Jam i bindur se nëse punojmë me unitet, LDK do të jetë befasia më e madhe e zgjedhjeve të vjeshtës. /Lajmi.net/