Çështja e hidrocentraleve në Kosovë, Aliu formon një komision që shqyrton vendimet e marra

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu ka marrë vendim për formimin e një komisioni për vendimet e marra për hidrocentralet.

Lajme

14/05/2021 17:48

Përmes një postimi në Facebook, Aliu ka thënë se ky komision do të shqyrtojë vendimet e marra në lidhje me hidrocentralet deri më datë 30 qershor të këtij viti.

“Si ministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ditë më parë, bëra kërkesë për vendosjen e masave në lidhje me aplikimet për fitimin e së drejtës ujore me koncesion dhe vendosjen e rendit në procesin e aplikimit në përputhje të plotë me kërkesat dhe procedurat sipas Ligjit nr. 04/L-147 për ujëra. Kjo kërkesë tanimë është në zbatim. Sot kam marrë vendim për themelimin e grupit punues për shqyrtimin e procedurave administrative të lëshuara për operatorët e hidrocentraleve dhe ndikimin në ujëra e mjedis”, ka shkruar ai.

Aliu thotë se komisioni në bashkëpunim me institucionet tjera që lidhen me fushën e ujërave do të përgatisë raport brenda afatit të caktuar.

“Ky komision do të shqyrtojë vendimet e marra në lidhje me hidrocentralet deri më datë 30 qershor të vitit 2021. Komisioni në bashkëpunim me institucionet tjera që lidhen me fushën e ujërave do të përgatisë raport me rekomandime brenda afatit të përcaktuar”, tha Aliu.