Dollma të shijshme me lule kungulli – Të shëndetshme dhe me vlera
I gjithë sekreti në shijen e tyre qëndron tek aroma që i japin mbushjes këto lule.
Lifestyle
Lulet e kungullit përveç se janë të bukura mund të shndërrohen në një nga përbërësit kryesorë të disa recetave.
Kështu është dhe rasti i kësaj recete. Dollmatë me lule kungulli janë mbase receta më e lehtë që mund të provoni.
I gjithë sekreti në shijen e tyre qëndron tek aroma që i japin mbushjes këto lule.
Nëse nuk dini kur t’i gjeni mund të kërkoni tek tregjet e fruta perimeve.
Përbërësit
30-40 lule të freskëta kungulli
1 qepë e madhe
5 lugë gjelle me vaj ulliri
400 g oriz
400 g mish i grirë
3 thelpinj hudhër
3 lugë çaji kripë
Gjysmë luge çaji me piper të zi
Përgatitja
Lajmë me ujë të bollshëm lulet e kungullit por tregoni kujdes pasi ato janë shumë delikate dhe mund të prishen.
Në një tigan hidhni pak vaj ulliri dhe hidhni për të skuqur qepën të cilën e këni prerë hollë.
Skuqen lehtë derisa qepa të ketë ulur vëllimin e saj de të ketë marrë një ngjyrë të artë.
Tani është koha të hidhni mishin e grirë, hudhrën e grirë hollë, kripë dhe pak piper.
Përzjejeni mirë në mënyrë që të gjithë përbërësit të marinohen me erëzat.
Në këtë moment shtoni dhe orizin, vazhdoni t’i skuqni në zjarr shumë të ngadaltë.
Shtoni ujë derisa t’i keni mbuluar përbërësit dhe lëreni që të vlojë.
Mos harroni që ta mbuloni me kapak derisa uji të jetë shteruar plotësisht.
Nëse nuk jeni të sigurt nëse mbushja është gati, provoni pak orizin.
Pasi mbushja të jetë ftohur filloni të përgatisni dollmatë me lulet e kungullit.
Tregoni kujdes që mos t’i tej-mbushni pasi orizi kur të gatuhet do të fryhet akoma dhe mund të çajë lulet e kungullit.
Renditini lulet e mbushura të kungullit në një tenxhere apo tigan të thellë, mund të vendosni edhe dy rreshta po të dëshironi.
Shtoni ujë derisa të keni mbuluar dollmatë me lulet e kungullit. Spërkatini me vaj ulliri dhe pak kripë.
Lërini të ziejnë në flakë të ulët duke i mbuluar me kapak derisa ato të kenë përthithur ujin plotësisht.
Pasi të jenë gati, largojini nga tenxherja duke treguar kujdes që të mos i prisni, dhe lërini në një pjatë që të ftohen pak para se t’i shërbeni.
Spërkatini dhe me pak vaj ulliri përsipër nëse dëshironi dhe mund t’i shijoni dollmatë më të shijshme që keni përgatitur. /Lajmi.net/