Për të përgatitur peshkun me shije perfekte, iu duhet vetëm vaj ulliri, limon dhe hudhra

Një nga mënyrat më të shëndetshme të gatimit të peshkut është pjekja në furrë.

Lifestyle

05/05/2021 11:03

Peshku është një nga ushqimet më të mira për funksionet e trurit dhe shëndetin mendor.

Ndaj dhe ekspertët rekomandojnë konsumimin e të paktën 1 apo 2 vakteve me peshk në javë.

Një nga mënyrat më të shëndetshme të gatimit të peshkut është pjekja në furrë.

Përbërësit 

Vaji i Ullirit

Për gatimin e peshkut në furrë mund të përdorni vaj ulliri të thjeshtë, jo ekstra të virgjër por edhe yndyrë tjetër që ka rezistencë të lartë ndaj nxehtësisë.

Hudhra

Hudhra nuk duhet të mungojë kurrë në gatimin e peshkut, sidomos atij në furrë.

Ekspertët këshillojnë që të përdorni hudhër të grirë hollë e cila duhet vendosur në brendësi të peshkut por edhe hudhër pluhur e cila i jep shumë shije sipërfaqes së jashtme të peshkut.

Limoni

Ekspertët këshillojnë që të përdorni nga një limon për çdo peshk.

Gjysma e limonit duhet prerë në feta dhe duhet futur në brendësi të peshkut.

Gjysma tjetër përdoret për shtrydhje dhe lëngu për t’i dhënë më shumë shije lëkurës së peshkut.

Erëzat

Në lidhje me erëzat, mund të përdorni gjithçka që ju ka ënda, por erëzat që përshtaten më shumë me peshkun janë rozmarina dhe trumza, por edhe kripa e piperi sigurisht.

Si Të Gatuani Peshkun Në Furrë

Hapi i parë i këtij udhërrëfyesi është përzgjedhja e peshkut që ju pëlqen.

Pasi ta keni pastruar mirë me ujë të rrjedhshëm dhe ta keni tharë ndizeni furrën dhe bëni gati tavën.

Lyejeni peshkun në të dyja anët me vaj ulliri dhe me anë të një furçe të vogël lyejeni edhe në brendësi.

Prisni gjysmën e një limoni në feta.

Grijeni hudhrën hollë dhe futeni  bashkë me limonin në brendësi të peshkut.

Sigurohuni që hudhrën dhe limoni t’i fusni sa më thellë në brendësi të peshkut.

Më pas, sipërfaqen e tij spërkateni me kripë të trashë, piper të zi dhe hudhër pluhur.

Shtoni erëzat tuaja të preferuara dhe futeni në furrë.

Piqeni peshkun në furrë për 18-20 minuta.

Koha e pjekjes varet nga madhësia dhe lloji i peshkut.

Pasi ta keni hequr nga furra, spërkateni bollshëm me limon dhe servireni të ngrohtë të shoqëruar me sallatë jeshile. /Lajmi.net/