Receta e ditës – Oriz me kungulleshka dhe djathë
Këtë gatim të lehtë mund t’a përgatisni në një mori mënyrash dhe kombinimesh të ndryshme.
Lifestyle
Gatimet me oriz dhe sidomos kur përmbajnë djathë janë gjithnjë të preferuara për nga shija e mrekullueshme që dhurojnë.
Jo vetëm i shijshëm, orizi është ndër ushqimet më të pasura me fibra të cilat ndihmojnë trupin të qëndrojë gjithnjë i shndetëshëm dhe në formë.
Në recetën e sotëme do të provoni orizin me kungulleshka dhe djathë.
Do të keni në tavolinë një pjatë kremoze me aromë fantastike që do të kënaqë të gjithë familjen.
Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete fare lehtë në vetëm 30 minuta.
Përbërësit
180 gramë oriz
500 ml ujë i ngrohtë
150 gr djathë i bardhë
70 gr djathë i grirë kaçkavall
2 kungulleshka të vogla
2 lugë gjelle gjalpë
1 qepë
1 lugë gjelle lëng limoni
piper i zi
Përgatitja
Për të nisur këtë recetë, filloni me shkrirjen e gjalpit në një tigan, në zjarr mesatar.
Prisni më pas qepën në fije të holla dhe shtojeni tek gjalpi i shkrirë. Skuqeni derisa qepa të fillojë të marrë ngjyrë të artë.
Shtoni edhe sasinë e orizit, lëngun e limonit , kripën dhe piperin duke i lënë për 3 minuta në zjarr mesatar, të ulët.
Kujdesuni t’a përzieni herë pas here orizin tuaj, në mënyrë që të mos ngjisë në fund të tiganit.
Pasi të kenë kaluar minutat, shtoni ujin e ngrohtë tek orizi dhe lëreni të zihet në zjarr të ulët për të paktën 20 minuta.
Kur uji të fillojë të nxjerrë bulëza, mbulojeni tiganin me një kapak hermetik dhe lëreni të vlojë për disa minuta.
Shikoni me kujdes pasi uji duhet të avullojë i gjithi përpara se t’a hiqni tiganin nga zjarri.
Ndërkohë grini në feta të holla të dy kungulleshkat, kujdesuni që fijet të jenë sa më të holla.
Këtë proçes mund t’a bëni edhe me rende në mënyrë që kungulleshkat të jenë sa më të imëta.
Shtojini më pas edhe fijet e kungulleshkave të grira tek orizi duke i lënë të gatuhen për 10 minuta në zjarr të ulët.
Lëreni orizin të gatuhet derisa edhe kungujt të jenë zbutur.
Më pas hiqeni tiganin nga zjarri dhe hidhni në të djathin e bardhë të thërrmuar në copëza të vogla, bashkë me djathin e grirë kaçkavall.
Përziejeni atë me kujdes dhe vendosni sërisht kapakun mbi tigan, në këtë mënyrë djathi do të shkrijë me nxehtësinë e orizit.
Lëreni të pushojë për 5 -10 minuta dhe kur djathi të jetë shkrirë, mund t’a servirni në pjata të veçanta.
Sipas dëshirës mund të shtoni edhe pak majdanoz sipër në mënyrë që të përfitoni një shije më të freskët. /Lajmi.net/