Cilat gjësende në shtëpi duhet të dezinfektohen çdo ditë

Zonat më të ndotura të shtëpisë janë banjoja dhe kuzhina dhe ndaj tyre duhet të tregoni shumë kujdes.

Lifestyle

05/04/2021 14:25

Studime të ndryshme mbështesin idenë se virusi COVID-19 mund të qëndrojë në sipërfaqe si kartoni për 24 orë dhe për deri 3 ditë në sipërfaqe plastike, inoksi apo çeliku.

Për pasojë, pastrimi dhe dezinfektimi i shtëpisë dhe sendeve që prekim çdo ditë është e një rëndësie jetësore.

Zonat më të ndotura të shtëpisë janë banjoja dhe kuzhina dhe ndaj tyre duhet të tregoni shumë kujdes.

Sendet e mëposhtme preken çdo ditë dhe kanë nevojë të pastrohen dhe dezinfektohen rregullisht.

Bëhet fjalë për:

  • Telekomandat
  • Tastiera dhe kompjuteri
  • Telefoni celular
  • Dorezat
  • Çelësi i dritës
  • Dera e frigoriferit, sobës dhe pajisjeve të tjera të kuzhinës.
  • Aspiratori

Produktet Më Të Mira Për Pastrim

Zbardhuesi ose siç e njohim rëndom si ‘Açe’ është shumë i mirë për dezinfektim, por vetëm nëse:

nuk ka skaduar

keni sistem të mirë ajrosjeje në shtëpi.

Ky zbardhues nuk duhet përzier kurrë me amoniak apo me ndonjë solucion tjetër pastrimi.

Formula e saktë e përdorimit të zbardhuesve industrialë është katër lugë çaji me zbardhues për çdo litër ujë.

Po Uthulla?

Natyrshëm lind pyetja për uthullën .

Deri më tani, Agjensia për Mbrojtjen e Ambientit në Shtetet e Bashkuara nuk e njeh uthullën si mënyrë efikase për dezinfektim, sidomos për shkatërrimin e COVID-19.

Megjithatë shumë studime kanë konfirmuar se uthulla e mollës ka qenë dhe mbetet efikase kundër virozave të stinës apo tuberkulozit.

Sidoqoftë, uthulla e mollës duhet të qëndrojë në sipërfaqe për 10 minuta që të dezinfektojë siç duhet sipërfaqet e ndryshme.

Si Të Përgatisni Solucionin Pastrues Në Shtëpi

Ekspertët këshillojnë që për të prodhuar një solucion pastrimi në kushtet e shtëpisë të përzieni artikujt e mëposhtëm në një shishe spërkatëse:

1 filxhan e gjysmë çaji me ujë

Gjysmë filxhan çaji me uthull të bardhë

10 pika vaji esencial sipas preferencës.

Këtë solucion pastrimi mund ta përdorni sipas preferencës në të gjithë shtëpinë, megjithatë gjithçka që mund të lahet duhet pastruar me ujë dhe sapun./Lajmi.net/