Revani tradicionale me mjaltë – Receta nga Shqipëria

Vështirë se mund t’i rezistosh shijes tradicionale së kësaj ëmbëlsire të shkrifët, të butë, ëmbëlsuar me sherbet e mjaltë.

Lifestyle

07/03/2021 09:59

E përsosur, e lehtë, e shijshme! Fantastike për t’u shërbyer në raste festash por edhe për të krijuar momente të dashura, të ëmbla në familje.

Revania është një ndër ëmbëlsira më të vjetra shqiptare. Vështirë se mund t’i rezistosh shijes së saj të butë, të shkrifët, të ëmbëlsuar me sherbet dhe mjaltë.

Në çdo shtëpi shqiptare ëmbëlsira e revanisë është më e dashura e të gjitha recetave. Nënat dhe gjyshet e përgatisin këtë recetë përherë në raste të gëzueshme familjare por edhe gjatë fundjavave kur të gjithë kanë mundësi të bashkohen në familje.

Nga kuzhina tradicionale tek ajo moderne e ditëve të sotme, kjo ëmbëlsirë vijon ta ruajë identitetin e saj. Megjithëse e ka traditën nga zonat e jugut të Shqipërisë, kjo recetë përgatitet nga të gjitha amvisat shqiptare në të gjithë vendin.

Përbërësit:

1 gotë me miell

½ gotë me sheqer

1 gotë me miell misri për ëmbëlsira

4 vezë

1 gotë vaj

1 pako pluhur pjekës

200 gr kos

2 vanilje

2 lugë mjaltë

lekurë portokalli ose limoni (sipas preferencës)

Përgatitja e sherbetit

3 gota ujë

2 gota sheqer

gjysëm portokalli ose limoni (sipas preferencës)

1 shkop kanele

(I ziejmë të gjitha bashkë për 10 min dhe i heqim mënjanë që të ftohet)

Përgatitja:

Në një tas të madh të të bollshëm rrahim vezët. Më pas shtojmë sheqerin dhe mjaltin dhe vijojmë rrahjen edhe për 5 minuta.

Në vijim, shtojmë vajin, kosin, si dhe lëkurën e portokallit apo të limonit.

Në një tas tjetër, hedhim miellin e misrit për ëmbëlsira dhe atë të grurit, hedhim gjithashtu edhe pluhurin pjekës dhe vaniljen. I përzjejmë të gjitha bashkë dhe i shtojmë tek masa e vezëve.

I rrahim për 2-3 minuta të gjitha bashkë dhe e hedhim të gjithë masën në tepsi.

Ëmbëlsirën e fusin në pjekje në furrë, në temperaturën 170 gradë. E lëmë të piqet për 35 minuta derisa merr në sipërfaqe ngjyrë të kuqërremtë.

Sapo e nxjerrim nga furra, i hehdim sherbetin e ftohtë. Në mënyrë që të përthithë të gjithë masën e sherbetit sa më mirë e shërbejmë tre orë pasi i kemi hedhur sherbetin./Lajmi.net/