Supë me qofte – Receta tradicionale nga Shqipëria

Më poshtë gjeni recetën e përgatitjes së qofteve të vogla me lëng të kthjellët dhe perime, një supë fantastike që me patjetër do të mbledhë gjithë familjen rreth tryezës së ngrënies.

Lifestyle

24/02/2021 15:45

Për të kënaqur shijen, nepsin dhe oreksin dhe për të ngrohur organizmin gjithashtu, transmeton lajmi.net.

Një recetë fantastike, tipike e kuzhinës shqiptare e përgatitur në të gjitha trevat dhe ideale sidomos për vaktet e drekës.

Qoftet janë padyshim një ndër gatimet e mrekullueshme të kuzhinës tradicionale shqiptare, të përgatitura në mënyra të ndryshme.

Por kur ato kombinohen në supa e gjellë, shija që të ofrojnë është fantastike.

Ka shumë mënyra në kombinimin e supave në gatimin e recetave të ndryshme, me salca të lehta kosi me hudhra, arrash apo domatesh, perimesh të ndryshme etj.

Më poshtë gjeni recetën e përgatitjes së qofteve të vogla me lëng të kthjellët dhe perime, një supë fantastike që me patjetër do të mbledhë gjithë familjen rreth tryezës së ngrënies.

Përbërësit

1 litër lëng i kthjellët (përgatitet me kocka mishi)

200 gr mish të girë

1 kokërr vezë

1 kokërr qepë

1 karrotë

1 patate

1 lugë gjelle gjalpë

kripë

piper

Përgatitja

Fillimisht përgatisim lëngun e kthjellët.

Kockat e mishit i vëmë në një tenxhere të madhe, i hedhim ujë dhe i ziejmë.

15 minuta nga fundi i procesit të zierjes shtojmë patatet dhe karrotat e prera në kubikë të vegjël.

Gjatë zierjes nga sipërfaqja heqim yndyrën që ka dalë sipër si edhe shkumën. Lëngun e gatshëm e kullojmë.

Më pas mishin e grirë e bashkojmë me qepët e grira, dhe e marinojmë me kripë e piper. Punohet brumi dhe ndahet në copa të vogla të rrumbullakta, sa një kokërr arrë.

Qoftet e përgatitura hidhen në një tavë të lyer me yndyrë, kaurdisen pak, u hidhet lëngu dhe stufohen derisa të jenë gati.

Para se t’i shërbejmë qoftet i ruajmë në lëng, gjatë shërbimit i vëmë në pjatë dhe i hedhim sipër lëngun e kthjellët të nxehtë.

Kjo supë shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, bukë të thekur e djathra të ndryshëm, apo byrekë të përgatitur në shtëpi si dhe zahire të ndryshme siç janë të gjitha llojet e ndryshme të turshive etj/Lajmi.net/