Petulla të sheshta me qumësht dhe ujë – Receta e mëngjesit
Duke qenë se qumështi kushtonte shumë dhe sasia e tij në shumë shtëpi nuk ishte e madhe, nënat e hollonin atë me ujë gjatë përgatitjes së petullave.
Lifestyle
Nuk ka nevojë të themi se sa shumë të famshme janë recetat me petullat e shtëpisë, transmeton lajmi.net.
Recetat e zakonshme të përgatitjes së tyre janë vetëm me kos ose qumësht dhe shija është ajo e mrekullueshmja që çdo njeri e ka parasysh.
Të pranishme çdo mëngjes në tryezat e gjysheve e deri tek servirja për gëzime familjare, petullat janë një ushqim ikonë i traditës dhe shijes së mirë.
Në disa zona të Shqipërisë, kryesisht në Jug të saj petullat serviren kur në shtëpi lind një fëmijë dhe gatuhen nga gjyshet.
Në recetën e sotme nga AgroWeb.org, do t’ju risjellim në vëmendje një mënyrë karakteristike të përgatitjes së petullave.
Atë me qumësht të holluar në ujë të vakët.
Kjo mënyrë është futur në librin e recetave para viteve 90, për shkak të vështirësive ekonomike që amvisat hasnin në përgatitjen e ushqimeve.
Duke qenë se qumështi kushtonte shumë dhe sasia e tij në shumë shtëpi nuk ishte e madhe, nënat e hollonin atë me ujë gjatë përgatitjes së petullave.
Megjithatë për shumë njerëz edhe sot kjo shije mbetet e dashur me plot kujtime fëmijërie.
Recetën e plotë të përgatitjes së tyre e gjeni më poshtë të shpjeguar nga AgroWeb.org.
Përbërësit
1 kg miell
250 ml qumësht
250 ml ujë të vakët
40 gr maja buke e thatë
3 vezë
3 lugë gjelle vaj
1 lugë gjelle sheqer
1 lugë çaji sodë buke
1 lugë çaji kripë
500-600 ml vaj për skuqje
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me shkrirjen e majasë në ujë të vakët.
Shtoni po aty sheqerin, dy lugë gjelle miell dhe përzieni mirë në mënyrë që të formohet një masë brumi e hollë.
Për ta trashur, duke përzier shtoni vezët, pjesën tjetër të miellit, kripën, sodën e bukës, qumështin dhe 3 lugë gjelle vaj.
Bëni gjithnjë kujdes kur të shtoni miellin, bëjeni këtë proces pak nga pak duke përzier vazhdimisht në mënyrë që të mos formohen kokrra.
Përzieni me lëvizje rrethore brumin derisa të keni një brumë të trashë dhe të butë.
Do të përfitoni një brumë më të trashë se ai i palaçinkave, por jo sa brumi i byrekut.
Më pas lëreni brumin tuaj të fryhet për 40 minuta, në një ambient të ngrohtë.
Përziejeni herë pas here dhe kur të jetë fryrë mjaftueshëm, vini një tigan të thellë në zjarr.
Mbusheni atë me vaj për skuqje dhe kur vaji të fillojë të ngrohet, hidhni petullat e para.
Këtë mund ta bëni me duar duke i lyer pak me vaj më parë ose me anë të një luge.
Forma e petullave nuk ka rëndësi, por mundohuni të mos t’i bëni shumë të mëdha në mënyrë që të skuqen mirë.
Lërini ato të skuqen derisa të marrin ngjyrë të artë dhe përsëriteni derisa i gjithë brumi të mbarojë.
Kur të jeni gati vendosini në një pjatë të shtruar me letër, në mënyrë që letra të thithë vajin e tepërt.
Në fund vendosini në një pjatancë të pastër dhe shërbejini sipas dëshirës me djathë, reçel apo mjaltë. /Lajmi.net/