Flet qytetari të cilit policët ia thyen brinjtë
Gjithë ngjarja filloi kur Bardhyl Bakija, orët e hershme të së enjtes kaloi semaforin në të kuqe. Menjëherë pas kësaj, pjesëtarë të Policisë Rajonale të Gjakovës filluan ta ndjekin atë, deri në afërsi të shtëpisë së tij.
Lajme
Aty Bakija thotë që policët ushtruan dhunë ndaj tij, krahas asaj që deklarohet se nuk refuzoi të dorëzohet.
“Edhe u nala, i çova durt edhe tu dalë prej kerrit thashë më falni se gabova. Pa e kry më ka ra dikush boks në kry më ka qit në tokë. Ma kanë msy nja 7 vetë me krejt forcën më kanë rrahë, vetëm zoti e di çfarë të rrehne më kanë bërë, këso të rrahure kam pa vetëm në kohën e okupimit të Serbisë, ka thënë Bakija për T7.
Ai sqaron pse vendosi të kalojë semaforin në atë formë.
“Nuk isha në gjendje të mirë. Hyra në krye të rrugës e pashë 5 e 45 e mëngjesit, nuk kishte asnjë makinë, hajt thashë po hi në të kuqën, 8 sekonda. Si hina në të kuqën shkova rreth 300 metra po e vërej Policinë”, rrëfen ai.
60 vjeçari thotë se do ta sqarojë deri në fund pse policia përdori këtë metodë për ta ndaluar.
“Pa e marrë vesh nuk tërhiqem prej kësaj pune, ata janë të fortë, unë jam i ligë. Ata janë të fortë se ata më kanë rrahë mua”, shtoi ai.
E nga kjo ngjarje, ky qytetar pësoi lëndime. Zyrtarët policorë atij ia thyejnë dy brinjë. Këtë e kanë konfirmuar edhe në Spitalin Rajonal të Gjakovës.
“E kam vizituar pacientin, në bazë të ekzaminimit klinik që i kemi bërë, testeve dhe CT është konstatu se i ka dy brinjë të thyer në anën e majtë”, ka thënë ortopedi, Burim Sahatqiu.
Ndonëse dyshohet se Bakija është viktimë, ky fillimisht po hetohej si i dyshuar, pasi që rasti ishte lajmëruar si sulm ndaj personit zyrtar. Megjithatë, me të lajmëruar rastin, janë marrë masa.
Shtatë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë suspenduar, derisa tre prej tyre janë ndaluar.
“Rasti fillimisht është raportu si sulm ndaj personit zyrtar dhe njësitet policore iu kanë pëegjigjur rastit, në ndërkohë kemi pranuar një informatë nga Inspektorati Policor që i dyshuari gjatë kohës sa ka qenë duke u trajtuar në spitalin rajonal ka kontaktuar IPK-në dhe ka pasur ankesa rreth përdorimit të forcës së tepruar nga ana e zyrtarëve policor, ka thënë Lumni Graishta nga Policia e Kosovës në Gjakovë.
Ai thotë që ata janë suspenduar në mënyrë që hetimet të zhvillohen pa pengesa.
Ndërkohë për të dyshuarit, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë të paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ndaluar tre zyrtarë policorë, në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “ Lëndim i rëndë trupor”, ka thënë Yllka Juniku-Shehu, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Rast i ngjashëm ishte raportuar edhe ditë më parë, ku ndaj një të riu dyshohet se zyrtarët policorë kanë ushtruar dhunë.