Familja Dobratiqi nga 15 janari rrezikon të mbetet në rrugë, kërkon ndihmë për strehim
Familja Dobratiqi ka një vit e gjysmë që jeton në këtë shtëpi, por që tani rrezikon të mbetet pa strehë për shkak të mundësisë së shembjes së kësaj shtëpie dhe kërkesës së pronarit për ta liruar atë.
Lajme
Në këtë shtëpi që gjendet në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë dhe e cila rrezikon të shembet për shkak të vjetërsisë së saj, jeton me qira familja pesëanëtarëshe, Dobratiqi.
41-vjeçari Faton Dobratiqi, i cili është kryefamiljar thotë se jetesa në këtë shtëpi është mjaftë e rrezikshme për shkak të mundësisë së shembjes.
Duke e parë rrezikun nga shembja, pronari i saj i ka thënë që të largohet nga kjo shtëpi më 15 janar, pasi që në këtë datë është koha kur ai duhet ta paguajë qiranë prej 80 eurove.
Fatoni thotë për lajmi.net, se tash e tre javë është i papunë dhe se gjithmonë ka punuar nëpër autolarje, kurse bashkëshortja e tij ka punuar si pastruese në disa vende.
Përveç rrezikut nga shembja, Fatoni hallin më të madh e ka tek tre fëmijët e tij. Ai thotë se djali më i madh i ka 10 vjet, i dyti pesë dhe më i vogli është dy vjeç.
Duke mos dashur që të ekspozohet për shkak të paragjykimeve të mundshme nga shoqëria, Fatoni tregon me lot në sy se si jetojnë në këtë shtëpi prej dheu, e që në disa dhoma as nuk kanë guxim që të qëndrojnë.
Madje ai thotë se reshjet e fundit i kanë rrezikuar edhe më shumë dhe ende janë të freskëta shenjat e lagështisë që janë shkaktuar nga shiu.
Ai thotë për lajmi.net, se shumë herë ka kërkuar ndihmë në organizatat bamirëse, por që deri më tani nuk ka arritur që të marrë përkrahjen e tyre.
Fatoni kërkon nga qytetarët e vullnetit të mirë që të paktën këtë dimër t’ia mundësojnë një strehë mbi kokë, pasi që pas 15 janarit ai nuk di se ku të shkojë.
Për të gjithë ju që dëshironi që t’i dilni në ndihmë familjes Dobratiqi, ky është numri kontaktues i Fatonit me të cilin mund të komunikoni direkt 049 610 885. /Lajmi.net/