Idiotizimi i qëllimshëm i publikut

Kur qytetarët në mënyrë intuitive e dinë cili është interesi strategjik i vendit, ndërsa votojnë kundër atij interesi, i bie që ka triumfuar në kokat e tyre propaganda antishtetërore. Ka triumfuar strategjia për uljen e aftësive e tyre për të gjykuar drejt.

Opinion

10/01/2021 17:32

Shkruan, Milazim KRASNIQI

Përgjithësimet e akuzave ndaj disa partive, (PDK e LDK dhe Lista e Vjosa Osmanit, në rend të parë) gjë që është bërë si ritual i disa individëve/grupeve/qarqeve propagandistike në Kosovë, tregojnë shkallë të lartë të tendencës për idiotizimin e qëllimshëm të komunikimit dhe të publikut.

Idiotizim i qëllimshëm është veprimi që bëhet nga propagandistë që nuk janë idiotë, por veprojnë si idiotë, nga dëshira që t’i shkaktojnë ndokujt ndonjë dëm dhe ashtu të përfitojnë ndonjë dobi nga dëmi që bëjnë. Kjo prirje po bëhet shumë viruente te ata që kanë marrë përsipër ta manipulojnë publikun dhe votuesin në Kosovë. Po lëvizë drejt shndërrimit në në lloj epidemie për zgjedhjet e radhës. Në yryshin idiotizues që kanë marrë disa grupe e qarqe, tashmë pothuajse e kanë eliminuar çdo barrikadë morale dhe çdo  preokupim me të vërtetën.

Këto grupe dhe qarqe, në mesin e të cilëve ka edhe njerëz të fesë(!), qëllimisht veprojnë si idiotë, duke synuar me çdo kusht dobishmërinë për vete dhe me çdo kusht dëmin për viktimat e propagandës së tyre. Mungesa te këto grupe dhe qarqe e çfarëdo kufiri moral dhe mungesa e çfarëdo preokupimi për të vërtetën, prodhon një ligjërim të shfrenuar dhe prodhon pamje halucinante në komunikimin në sferën publike. Ligjërimi i shfrenuar (shpifës, denoncues) dhe pamjet halucinante i servohen publikut, me qëllim që ta dezorientojnë, ta paaftësojnë që të veprojë moralisht dhe që të mos arrijë ta njohë të vërtetën.

Në këtë aspekt, viktimë më e madhe është vetë pubiku, se sa objektet e këtyre sulmeve, në këtë rast disa nga partitë politike (PDK e LDK dhe Lista e Vjosa Osmanit, në rend të parë.) Objektet e sulmuara me këtë model propagande e lufte speciale, mund të dëmtohen deri dikund, por ato edhe i mbijetojnë sulmet, falë organizimeve të brendshme reaktive dhe kundërsulmeve që mund të organizojnë edhe vetë. Ndërsa, publiku është viktimë e sigurt, sepse ai helmohet me të pavërtetat, indoktrinohet, histerizohet dhe mercenarizohet, duke punuar/votuar edhe në dëm të vetvetes.

Fjala vjen, nëse publiku, në rolin e votuesit, si pasojë e këtij manipulimi, voton për forca politike që mund ta përkeqësojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe të ftohin marrëdhëniet e saj me sponsorët e pavarësisë së saj, kjo haptas është në dëm të vetë atij pubiku/votuesi. Pse? Sepse, Kosova është bërë shtet vetëm falë sponsorëve të saj (SHBAdhe NATO) dhe pa ndihmën e tyre nuk mund të mbijetojë si shtet. Pra, interes absolut i publikut votuesve/shtetasve duhet të jetë ruajtja e raporteve strategjike me SHBA dhe NATO-n. Këtë qytetarët e dinë, në mënyrë intuitive. Por, kur qytetarët në mënyrë intuitive e dinë cili është interesi strategjik i vendit, ndërsa votojnë kundër atij interesi, i bie që ka triumfuar në kokat e tyre propaganda antishtetërore.

Ka triumfuar strategjia për uljen e aftësive e tyre për të gjykuar drejt. Pra, ka triumfuar idiotizimi i qëllimshëm. Ky edhe është caku që aspiron ta arrijë çdo propagandë agresive dhe e xhveshur nga kufizimi moral dhe nga preokupimi me të vërtetën. (10 janar 2021)