Osmani uron besimtarët për Krishtlindje: ​Të jemi solidarë dhe të reflektojmë harmoni

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Krishtlindjeve.

Lajme

24/12/2020 20:22

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një mesazhi publik, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes, shkruan lajmi.net.

Për shkak se këto Krishtlindje gjithë botën përfshirë edhe Kosovën e gjejnë në kohë pandemie, Osmani ka thënë se në këtë kohë të vështirë duhet të mendojmë për të gjithë ata që janë në vështirësi.

Mesazhi i plotë i Osmanit, pa ndërhyrje:

Urimi i u.d. Presidentes së Kosovës, dr.Vjosa Osmani për Krishtlindje

Kremta e Krishtlindjes sjell mesazhin e paqes, dashurisë, respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës midis popujve.

Urimet e mia shkojnë në secilën familje të krishtere. Shëndet, mbarësi, paqe e lumturi në jetën tuaj!

Në këtë periudhë të vështirë, kur ne dhe bota po përballemi me COVID-19, duhet të mendojmë për të gjithë ata që janë në vështirësi. T`ua zgjasim dorën atyre që janë në nevojë, ta ngjallim shpresën për një të ardhme më të mirë! Festat fetare tek populli ynë gjithherë na kanë bashkuar. Si çdo vit edhe sivjet, të festojmë bashkë, të jemi solidarë dhe të reflektojmë harmoni!

Për shumë mote, Gëzuar!. /Lajmi.net/