Gattuso: Maradona do të jetojë përgjithmonë
Futbolli u kthye në Napoli të enjten, por jo edhe normaliteti, me qytetin që vazhdon të vajtojë vdekjen e legjendës Diego Maradona.

Sport
Napoli në kuadër të Ligës së Evropës mposhti në shtëpi 2:0 Rijekan, në atë që ishte ndeshja e parë pas vdekjes së Maradonës.
Lojtarët e Napolit në nderim të legjendës së klubit të tyre, dolën në fushë me fanella, që në shpinë mbanin numrin 10.
Pas ndeshjes, trajneri i Napolit, Gennaro Gattoso, nuk ka mundur të mos flas për Diego Maradonën.
“Diego është krenaria e këtij qyteti”, ka deklaruar Gattuso, përcjell lajmi.net.
“Ata panë futbollistin më të mirë në botë. Ai përfaqësoi numrin 10, një popull të tërë e bëri që të ëndërronin. Shumë djem quhen Diego, ai është më i rëndësishëm se San Gennaro”.
“Kam shumë kujtime të mrekullueshme të Diegos, pata mundësinë të darkoja disa herë me të”.
“Ai vdiq por nuk do të vdesë kurrë, sepse ishte një person i jashtëzakonshëm. Ai bëri shumë gjëra të jashtëzakonshme. Gjithashtu bëri edhe gabime në jetë, por ai do të jetojë përgjithmonë”./Lajmi.net/