Receta e ditës – Kulaç i butë me qumësht
Kulaç i butë me qumësht – Si ta përgatisni plot shije në shtëpi.
Lifestyle
Kulaçi i shtëpisë është një ndër recetat më tipike tradicionale shqiptare, e trashëguar brez pas brezi. Ai përgatitet në çdo kohë, e sigurisht nuk mund t’i mungojë tryezës në këto ditë festash, shkruan “AgroWeb”.
Por shpesh amvisat hasin vështirësi në përgatitjen e tij, pasi herë del i thatë e herë të tjera i qullët, transmeton lajmi.net.
Me këtë recetë përgatitet një kulaç fantastik i butë teksa gjatë pjekjes, ai mbush gjithë shtëpinë me aromën e tij të mrekullueshme.
Përgatitja e Kulaçit në Shtëpi
Përbërësit
1 kg miell
2 kokrra vezë
kripë
1 lugë çaji sodë buke
1 filxhan kafeje me vaj ulliri
400 ml qumësht
Përgatitja e kulaçit
Mielli hidhet i gjithi në një enë të gjerë. Në mesin e miellit hapet një gropëz dhe anash miellit shtoni kripën dhe sodën rreth e rrotull.
Më pas shtoni në gropëzën që keni hapur vezët e plota ndjekur nga qumështi dhe vaji i ullirit. Përziejeni miellin me të gjithë përbërësit e tjerë duke përdorur një lugë druri.
Shtoni edhe pak ujë të vakët që të lehtësoni formimin e brumit të kulaçit. Më pas hiqeni lugën dhe punojeni masën me duar deri sa brumi i krijuar të jetë i njëtrajtshëm.
Kur brumi të jetë forcuar, jepini formën e një topi dhe punojeni sërish me duar.
Hiqeni brumin nga ena dhe vendoseni në sipërfaqen e gurtë ose të mermerit që keni në kuzhinë. Sekreti i një kulaçi të shijshëm qëndron tek përpunimi i vazhdueshëm dhe i njëjtrajtshëm i brumit.
Më pas merrni një tepsi rrethore ose drejtkëndore dhe lyejeni me vaj. Merreni brumin dhe futeni në tepsi duke e shtrirë me dorë deri sa të puthitet në çdo cep të sipërfaqes së enës së pjekjes.
Pasi brumi i kulaçit të jetë përhapur mirë, përdorni një pirun të pastër për t’i dhënë forma dhe trajta sipërfaqes së tij.
Futeni tepsinë në furrë dhe piqeni për 30 minuta në 200 gradë. Me këtë brumë ju mund të përgatisni një kulaç të madh ose kuleçë të vegjël. /Lajmi.net/