Pse po rrëzohen qeveritë?

Në Kosovë, kohëzgjatja e qeverive është problem i dukshëm. Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, asnjë qeveri në Kosovë nuk ka arritur të përfundojë mandatin e saj 4 vjeçar. Por çfarë po e shkakton këtë jo-stabilitet politik?

Lajme

29/10/2020 21:35

Sa i përket qeverive në Kosovë, pas vitit 2008, qeveria Thaçi I (2008-2011) ka zgjatur 1141 ditë, qeveria Thaçi II (2011-2014) ka pasur një jetëgjatësi prej 1387 ditëve kurse qeveria Mustafa (2011-2014) ka zgjatur plot 1006 ditë, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, vitet e fundit ka pasur një trend negativ. Brenda 3 vitesh në Kosovë janë ndryshuar 3 qeveri dhe Kosova ka ndërruar 3 kryeministra.

E sipas njohësve të çështjeve politike, kjo po ndodh për arsye se në Kosovë më nuk ekzistojnë parti të mëdha dhe se partitë në pushtet përballen me kriza politike të ndryshme të një shteti në tranzicion.

Shkodran Ramadani, njohës i problemeve politike shprehet se elektorati është fragmentarizuar dhe se në Kosovë ka parti mesatare që sillen nga 20 deri në 30 për qind të votave dhe sipas tij, kjo ndikon në rrëzimin e tyre.

Sipas Ramadanit, koalicionet me shumë partnerë lindin më shumë mosmarrëveshje pasi nuk ka parti e cila si shumicë me dallim të madh e udhëheq koalicionin dhe i ka në dorë frenat e tij.

“Arsyeja përse rrëzohen qeveritë është sepse është fragmentarizuar shumë elektorati dhe tashmë nuk ekzistojnë partitë e mëdha, ka vetëm parti mesatare nga 20 deri në 30 për qind. Nëse flasim nga paslufta kemi pasur parti me nga 35 përqind e tutje. Tash, koalicionet duhet të bëhen me shumë partnerë dhe mosmarrëveshjet lindin shumë më shumë dhe kur nuk ka një parti të fortë mjaftueshëm që ta stabilizojë koalicionin”, tha Ramadani.

Më tutje, ai shprehet se edhe dialogu me Serbinë – ku ekziston presioni ndërkombëtar ka bërë shpesh që koalicionet të pësojnë plasaritje dhe të prishen qeveritë.

Sipas tij, në Kosovë stabilitet politik mund të sjell vetëm një parti e cila fiton mbi 30 për qind të votave, por megjithatë ai thotë se Kosova ka mesatare të ditëve të qeverive në pushtet më të mirë sesa Evropa.

“Jemi në situatë të komplikuar të dialogut me Serbinë dhe ka presion ndërkombëtar dhe kur nuk u përgjigjet këtyre kërkesave të tyre mund të ketë edhe plasaritje në koalicione siç ka ndodhur. Dhe tash është një parti me 25 për qind, çereku i votave, pra parti shumë e vogël të udhëheq. Vetëm nëse fiton një parti me mbi 30 përqind mund të krijohet stabilitet, megjithatë mesatarja e ditëve të qeverive në pushtet, Kosova e ka ndër më të lartat në Evropë, diku 1100 ditë, në Evropë është më e vogël.”, tha Ramadani.

E sociologu dhe njohësi i çështjeve politike, Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se si shtet në tranzicion, Kosova edhe e ka problem stabilitetin politik dhe stabilitetin e qeverive.

“Duke qenë se jemi një shtet i ri dhe me mjaft probleme, ende duke e përjetuar periudhën tranzicionale medoemos na bën të pyesim se pse kemi kaq shumë ndarje mes veti, sidomos në aspektin politik. Zgjedhjet e pasluftës janë mbajtur në vitin 2001 në një atmosferë të tensionuar, partia fituese LDK-ja kishte diferencë mbi 20 për qind me partinë e dytë, PDK-në dhe është dashur që posti i kryeministrit t’i jepet PDK-së me marrëveshje që lideri i saj, Hashim Thaçi të mos jetë kandidat për kryeministër, por që ky post t’i takoj Bajram Rexhepit, deri më tani i vetmi i cili e ka përfunduar mandatin e paraparë.”, tha Brajshori.

Më tutje, ai shprehet se lojërat e vërteta politike kanë ardhur me futjen në garë zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Hyrja në skenën politike e disa partive si ORA dhe më vonë AKR-ja janë parë si freskim i skenës politike dhe një zgjidhje e tretë nga partitë e pasluftës, por ato nuk përmbushën pritshmërisë. Lojërat e vërteta politike erdhën me Vetëvendosjen në garë në vitin 2011. Pakënaqësitë e shumta me partitë e tjera elektorati i shndërroi në votë pro VV-së dhe Albin Kurtit.”, tha ai.

Gjithashtu, sipas Brajshorit, pakicat serbe janë arsye tjetër shtesë e jo-stabilitetit të qeverive, duke shtuar se në Kosovë duke qenë e pamundur që një parti t’i fitojë mbi 50 për qind në zgjedhje, koalicionet janë të domosdoshme.

“Pakoja e Ahtisarit i jep mundësi shtesë pakicave e sidomos asaj serbe e cila dirigjohet nga Beogradi dhe se votat e tyre, fatkeqësisht shpesh kanë qenë edhe përcaktuese në themelimin e një qeverie dhe sigurisht që kjo ka pasur dhe vazhdon ta ketë koston e saj. Meqenëse tek ne nuk kemi asnjë parti e cila ka mundur t’i fitojë në zgjedhje mbi 50 për qind dhe të formojë vetë qeverinë plus pakicat (të drejtat e tyre të garantuara për përfaqësim), lidhja e koalicioneve si parazgjedhore si pas-zgjedhore është e pashmangshme.”, tha Brajshori.

Ai në fund tha se ndikim në Kosovë kanë edhe ambasadat e huaja të cilat shpesh qëndrojnë prapa skenave dhe vendosin se kush do të udhëheq me shtetin dhe kur një qeveri duhet të rrëzohet.

“Në vitet e fundit kemi trend të rënieve të qeverisë, nga partnerët e vet koalicionit, ndërsa zoti Haradinaj është i vetmi i cili dha dorëheqje për shkak të thirrjes nga Specialja, kjo e fundit mund të shihet si tërheqje taktike e tij duke parë marrëdhëniet e acaruara me faktorët ndërkombëtar. Mos të harrojmë rolin kyç në krijimin dhe rënien e qeverive kanë edhe ambasadat e huaja të cilat në shumicën e rasteve vendosin prapa skenave se kush duhet të udhëheq me shtetin dhe kur një qeveri duhet të shkojë siç e kemi rastin me qeverinë Kurti”, tha Brajshori në fund.

Megjithatë, Kosova qëndron më mirë sa i përket mesatares së ditëve në pushtet të qeverive.

Përderisa në Itali kohëzgjatja e qeverive është 251 ditë, në Austri është 800 ditë, në Letoni 330 ditë, në Rumani 269 ditë, në Hungari 1095 ditë, në Slloveni 603 ditë. /Lajmi.net/