​Komuna e Obiliqit miraton buxhetin për 2021

Kuvendi Komunal i Obiliqit sot ka miratuar buxhetin komunal në vlerë 11 milionë e 190 mijë e 796 euro.

Lajme

29/09/2020 18:32

Buxheti komunal kaloi me 18 vota pro, dy kundër dhe një abstenim të asamblistëve komunalë.

Kryetari Xhafer Gashi tha se me buxhetin komunal do të vazhdojë përfundimi i projekteve aktuale kapitale dhe do të fillojë realizimi i projekteve të reja në fusha të ndryshme e që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve.

Ai tha se do të ketë investime në infrastrukturën nëntokësore, rrugore, ndriçimin publik, ndërtimi i parqeve të reja dhe mirëmbajtja e parqeve aktuale, ngritja e cilësisë në arsim, pajisja të reja në kabinetet shkollore, renovimi i objekteve shëndetësore, përkrahja e bujqve, fermerëve, bizneseve të reja dhe ekzistuese, si dhe do të ketë mbështetje për rini, kulturë dhe sport.

Gashi gjithashtu ka bërë të ditur se vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i sheshit “Adem Preniqi”, një hapësirë që do t’i japë pamje të re qytetit të Obiliqit, si dhe do të vazhdojnë punimet në realizimin e projektit të ko-gjenerimit.

“Përkundër sfidave që kemi, angazhimi ynë nuk do të mungojë për të realizuar më të mirën për qytetarët e sidomos për ata që do ta trashëgojnë të ardhmen”, u shpreh ai.