Inter – Vidal, menaxheri premton ta sjellë me parametra zero

Arturo Vidal ishte futbollisti i parë që Antonio Conte kërkoi menjëherë sapo shkeli në Milano, por drejtuesit e klubit nuk ia plotësuan dëshirën as një vit më parë dhe as në merkaton e dimrit, duke provokuar disa herë reagimin mediatik të trajnerit zikaltër.

Sport

28/08/2020 21:33

Megjithatë pak ditë më parë presidenti Stiven Zhang vendosi të konfirmojë Conten në pankinë edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa këtë verë duket se drejtuesit do t’i plotësojnë dëshirën, për t’i sjellë në skuadër mesfushorin kilen.

Ky i fundit është njoftuar nga trajneri i ri i Barcelonës Ronald Koeman se nuk bën pjesë në projektin e tij për skuadrën dhe se do të duhet të gjejë një tjetër ekip për të vijuar karrierën, ndaj te Interi janë gati të përfitojnë nga situata.

Menaxheri i Vidal është Fernando Felichevich, i njëjti që punoi për transferimin e Aleix Sanchez me parametra zero te Interi dhe tani ka nisur operacionin për të çuar te zikaltrit edhe Arturo Vidalin me të njëjtat kushte.

Sipas mediave pranë klubit zikaltër, tani ka një marrëveshje të plotë me Vidal, për të nënshkruar një kontratë dy vjeçare me opsion rinovimi edhe për një vit të tretë, me pagë prej 6 milionë eurosh në sezon.

Tani gjithçka është në dorë të Felichevich, që duhet të bindë Barcelonën pr prishjen e parakohshme të kontratës dhe të transferojë Vidal falas në anën zikaltër të Milanos, ndonëse në fund nuk përjashtohet mundësia që Interi të paguajë ndonjë shifër simbolike për kartonin e mesfushorit kilen. /Supersport