Partnerët e koalicionit pritet të takohen të hënën, diskutohet për takimin e 2 shtatorit
Është anuluar takimi i partnerëve të koalicionit, takimi pritet të ndodh të hënën.

Lajme
Ora 14:00 ishte paraparë që ti bëjë bashkë partnerët e koalicionit qeverisës.
Por, një takim i tillë nuk ndodhi.
Kryeministri Avdullah Hoti, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe i NISMËS, Fatmir Limaj, nuk u panë me njeri tjetrin.
T7 gjatë ditës ka kërkuar sqarime nga Zyra e Kryeministrit, se pse është anuluar ky takim.
Por, asnjë sqarim nga ky institucion nuk është dhënë.
Ndërkohë, për këtë çështje gjatë ditës ka folur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se një takim i tillë pritet të ndodh të hënën.
Ndërsa sipas tij, aty do të diskutohet vetëm për përgatitjet që duhet të bëhen për takimin e dy shtatorit në Uashington.
Pos kësaj Haradinaj ka folur edhe më konkretisht për takimin që do të ndërmjetësohet nga Robert Obrien, që është këshilltar për siguri i presidentit Donald Trump.
Sipas tij, ky takim duhet të shfrytëzohet edhe për një marrëveshje finale.
Me dy shtator në Uashington do të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Për këtë takim ka njoftuar i dërguari special i presidentit Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.