Inter – Shakhtar Donetsk, formacionet e mundshme

Interi dhe Shaktari i Donjetskut do të zbresin në fushë këtë të hënë, në qytetin e Dusseldorfit, për të përcaktuar edhe ekipin e dytë finalist të edicionit të 11-të të Ligës së Evropës.

Sport

17/08/2020 11:10

Bëhet fjalë për dy klube që e kanë fituar më parë, kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës.

Të dy ekipet paraqiten në këtë takim pas një forme shumë të mirë. Kështu ekipi i drejtuar nga trajneri portugez, Luis Castro, numëron plot 11 ndeshje pa humbje. Praktikisht, që pas rikthimit të futbollit, pas izolimit për shkak të pandemisë së Koronavirusit, klubi nga Donetsku i ka fituar që të gjitha takimet, me përjashtim të dy ndeshjeve në kampionatin vendas ndaj ekipeve të tilla si Zorya Luhansk dhe Oleksandriya, sidoqoftë, rezultate që nuk është se bënë dëm, duke patur parasysh që vlejnë për sezonin e kaluar, pasi edicioni i ri i kampionatit ukrainas starton pikërisht fundjavën e ardhshme.

Sa i përket Interit, zikaltrit e kanë patur këtë pjesë të sezonit shumë më të ngjeshur, megjithatë skuadra e drejtuar nga trajneri Antonio Conte është paraqitur mirë, duke humbur vetëm 1 nga 16 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet. Për herë të fundit Interi e ka provuar shijen e humbjes në “San Siro”, një muaj e gjysmë më parë, në takimin me Bolognan, gjithsesi zikaltrit ia dolën të mbyllnin një sezon plot luhatje në vendin e dytë, pra si nënkampionë të Italisë, me thjesht një pikë më pak se sa bardhezinjtë e Juventusit, por sidoqoftë vlen të kujtohet fakti që Interi në aspektin moral nuk mund të pretendonte më shumë, pasi i humbi që të dyja përballjet që kishte me kampionët në fuqi në derbin e Italisë.

Ndeshja fillon nga ora 21:00.

Formacionet e mundshme:

Inter (i mundshëm): Handanovic; Godin, De Vrij, Bastoni; D’Ambrosio, Barella, Brozovic, Gagliardini, Young; Lukaku, Lautaro

Banka rezervë: Padelli, Ranocchia, Skriniar, Biraghi, Candreva, Moisiu, Sensi, Borja Valero, Eriksen, Agoume, Esposito

Shakhtar (i mundshëm): Pyatov; Dodo, Krivstov, Khocholava, Matvyenko; Marcos Antonio, Stepanenko; Marlos, Alan Patrick, Taison; Junior Moraes

Banka rezervë: Turbin, Vitao, Fernando, Dentinho, Marquinhos Cipriano, Bondar, Konoplyanka, Maycon, Kovalenco, Solomon, Bolbat, Tete. /Lajmi.net/