Ramiz Lladrovci: Nuk është befasi që Ali Ahmeti ftohet si dëshmitar në Hagë
Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka thënë se nuk është befasi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është ftuar si dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë.

Lajme
Për shkak të angazhimit dhe kontributit të tij për UÇK-në, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, edhe mund të ftohet si dëshmitar nga Gjykata Speciale.
Kështu ka bërë të ditur kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell lajmi.net.
Lladrovci ka shkruar po ashtu se për 20 vite me radhë ka dështuar përpjekja për të barazuar viktimën me kriminelin.
Postimi i plotë i Lladrovcit, pa ndërhyrje:
Nuk është befasi që Ali Ahmeti ftohet si dëshmitar në Hagë, për shumë arsye. Ndër to, më e rëndësishmja është se të gjitha personalitetet që ndërtuan dhe kontribuan për UÇK-në, tashmë janë ftuar në cilësi të ndryshme për të dëshmuar.
Për 20 vite, dështon përpjekja për të barazuar viktimën me kriminelin.
Ali Ahmeti, ka çka të dëshmojë për terrorin nga viti 1981 e këndej të tërë aparatit shtetëror represiv serb, deri te mbi 400 varrezat masive të shqiptarëve në Kosovë, gjatë luftës çlirimtare më 1998-1999.
Kosova është krenare me bijtë dhe bijat më të devotshme të kombit që i dolën përballë makinerisë vrastare serbe, duke e çliruar Kosovën, së bashku me NATO-n.
Vëlla Ali, përgjithmonë mirënjohës e krenar për çdo hap e çdo vepër tënde për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve!. /Lajmi.net/