I nderuar president, qëndroj pranë figurës suaj

Shkruan: Ekrem Bardha

Opinion

28/06/2020 14:17

I nderuari zoti president Thaçi,

E di dhe jam i bindur se momenti i tanishëm në jetën tuaj politike dhe qytetare mund të jetë i vështirë, po aq sa jam i bindur se ai nuk do të ndryshojë disa të vërteta historike, të cilat, pavarësisht nga dëshirat jashtë Kosovës, janë përcaktuar qartë dhe kanë zënë vend në memorien e kombit.

Duke qenë njëri ndër përkrahësit më të vendosur të Pavarësisë së Kosovës, që në krye të herës, kur pak vetë guxonin ta ëndërronin këtë, kam mbështetur fuqimisht, pa asnjë ekuivok, deri në instancat më të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në takime të veçanta me presidentë dhe ish presidentë, senatorë dhe kongresmenë, luftën e drejtë , liridashëse dhe sakrifikuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte dalëzotëse e popullit.

Kam qenë gjithnjë i bindur dhe vazhdoj të jem se ajo ishte një luftë sa e domosdoshme, aq edhe e drejtë; mbarëpopullore dhe kombëtare,për aspirata të mëdha dhe rrugë drejt bashkimit të kombit; kam qenë dhe vazhdoj të jem i bindur se UÇK-ja, në qëllimet e saj, luftimet, përcaktimet kombëtare, aksionet dhe në të gjithë veprimtarinë e saj nuk ka bërë shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Ndryshe nga ushtria serbe, policia dhe shërbimi sekret serb, të cilët masakruan rreth 15 mijë shqiptarë të Kosovës, fëmijë, gra, burra, pleq, dëbuan rreth 1 milion shqiptarë nga trojet e tyre etnike, vranë,grabitën, dogjën, dhunuan, krejt ndryshe veproi UÇK-ja, ku ju ishit drejtori politik i saj, të cilët, edhe pas kaq viteve hulumtime, sajesa e mashtrime, shteti serb nuk arriti të mbledhë të dhëna as për 100 vetë, dhe jam i bindur, prova të sajuara dhe të fabrikuara.

Unë, si qytetar amerikano- shqiptar, që kam pasur nderin të ju takoj, të bisedoj me ju, të ndjek politikën tuaj në dobi të kombit, të dekorohem nga Ju për aktivitetin tim, qëndroj pranë figurës suaj, jo vetëm si mbështetje, por edhe si dëshmi e qëndrimit të lartë politik, diplomatik dhe ushtarak që solli politika e lartë e Shteteve të Bashkuara.

Që pas mbarimit të luftës në Kosovë, ku , për herë të parë, një strukturë e armatosur luftarake shqiptare, si ishte UÇK-ja, u bë pjesë e koalicionit të madh ndërkombëtar kundër fashizmit serbomadh dhe politikës gjenocidiale të Millosheviqit, shumë akuza janë bërë mbi figura të larta të drejtimit të UK-së, por gjithherë është dëshmuar pafajësia e komandantëve të luftës dhe lufta e drejtë e UÇK-së.

Tani, i nderuar zoti president , po luhet një akt tjetër i akuzimit të luftës çlirimtare, por do të jetë edhe një provë e re e drejtësisë së luftës, e qëndrimit tuaj parimor, si drejtues lufte dhe burrë shteti.

Më lejoni zoti president të ju afroj gjithë mbështetjen time, si qytetar dhe njeri i angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke besuar në luftën e drejtë, të pastër e burrërore të UÇK-së, ku ju ishit drejtues i saj!