PDK nuk heq dorë nga Tribunali për krimet e serbëve – Kosova e pafuqishme ta themelojë atë

Me iniciativë të Kadri Veselit, në maj të vitit të kaluar është miratuar në Kuvendin e Kosovës Rezoluta për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, por themelimi i Tribunalit ndërkombëtar po shihet si i pamundur.

Lajme

12/06/2020 12:05

Më 16 maj të vitit të kaluar, 79 deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin miratuar Rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, Rezolutë kjo e cila ishte kundërshtuar nga Lista serbe.

Kjo Rezolutë e iniciuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, qëllim të vetëm ka hetimin e krimeve që ish-regjimi shtetëror serb ka kryer në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

Pas votimit të Rezolutës, më 30 ishte formuar Komisioni Parlamentar për këtë çështje.

Pas një viti, vetë iniciuesi i kësaj Rezolute, Kadri Veseli, ka deklaruar se nuk do të ndalet asnjëherë deri në themelimin e Tribunalit për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Mirëpo, me rrëzimin e qeverisë, shumica e anëtarëve të komisionit nuk janë më deputetë dhe në këtë mënyrë edhe puna e komisionit për Tribunalin nuk është funksionale.

Memli Krasniqi, deputet i PDK-së, i cili edhe është anëtar i këtij komisioni, ka deklaruar për lajmi.net, se komisioni i mandatit të kaluar ka përfunduar punën.

Ai ka thënë të se të gjitha dokumentet që janë proceduar mandatin e kaluar me dakordim të të gjithë anëtarëve, do ta riprocedohen edhe në këtë legjislaturë. Krasniqi pret që Kryesia e Kuvendit ta vendos në rend të ditës për miratim në njërën prej seancave të radhës.

“Komisioni i mandatit të kaluar e ka përfunduar punën dhe e ka proceduar tutje dokumentin e dakorduar nga përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare. Tani, ne do ta riprocedojmë në ditët në vijim dhe presim që të vendoset në rend të ditës për miratim në një nga seancat e radhës”, deklaroi Krasniqi për lajmi.net.

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar për lajmi.net, se iniciativa e Kadri Veselit është e parealizueshme.

Kjo pasi që sipas tij, një propozim i tillë kërkon mbështetjen ndërkombëtare veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

Miftaraj ka bërë të ditur për lajmi.net, se themelimi i një Tribunali ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi duhet të bëhet përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Në kohën kur Kosova dhe Serbia janë nën presion ndërkombëtare për të vazhduar me dialogun dhe për të arritur një zgjidhje përfundimtare në mes dy shteteve, iniciativa apo propozimi i z. Veseli pothuajse është i parealizueshëm.  Që një propozim i tillë të realizohej në praktikë ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare veçanërisht nga shtetet si SHBA dhe shtetet e BE-së, e që kjo pothuajse së paku në publik nuk është përkrahur si ide. Që kjo të ndodh duhet të bëhet përmes OKB-së, e kur kësaj i shtohet fakti se kemi pasur një tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, që ka përfunduar misionin e tij, një ide e tillë mund të duket atraktive, por e pa zbatueshme. Në anën tjetër Kosova ka pas mundësi së paku nga viti 2014 të forcojë PSRK dhe në kuadër të saj të zhvilloj departamentin për krime lufte, por që nuk ka pasur vullnet asnjëherë duke kontribuar që përmes mosveprimit Kosova të mos ketë mundësi të hetoj, ndjek dhe gjykoj krimet e luftës”, theksoi Miftaraj për lajmi.net.

Ndryshe, qëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, i këtij Tribunali ndërkombëtar është hetimi i krimeve që Serbia i ka bërë në Kosovë.

Theksojmë se sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur ende konsiderohen më shumë se 1,600 persona. /Lajmi.net/