Investimet publike në letër derisa qeveria të rishikojë buxhetin

Pakoja emergjente fiskale e cila u përgatitë nga Qeveria e Kosovës si hap i parë për adresimin e problemeve ekonomike të rezultuara nga pandemia do të reflektojë në masë të madh në buxhetin e vitit 2020.

Lajme

07/05/2020 13:33

Pas miratimit të pakos, ministria e Financave dhe Transfereve u ka dërguar nga një shkresë të gjitha institucioneve të nivelit qendre që të mos iniciojnë asnjë aktivitet të prokurimit që ka të bëjë me investimet kapitale. Kjo pasi, qeveria po synon që të rishikojë buxhetin dhe të marrë paratë e shumë projekteve kapitale që të mbulojë një pjesë të kostos së obligimeve që dalin nga pakoja emergjente.

Kësisoj, njëra prej institucioneve me buxhetin më të madh, ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit akoma nuk e ka iniciuar asnjë aktivitet të prokurimit për projektet kapitale të këtij viti, shkruan lajmi.net.

Për gjatë viteve, rritja ekonomike në Kosovë kryesisht është mbështetur nga investimet kapitale publike dhe rritja e eksporteve neto.

“Ekziston një shkresë nga Ministria e Financave e cila ndalon të gjitha organizatat buxhetore inicimin e projekteve kapitale deri në një vendim tjetër”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të ministrisë së Infrastrukturës dhe Transfereve për lajmi.net.

Se kur do të nisin procedurat për investimet kapitale në këtë vit, nuk e kanë një datë në ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi thotë se kjo do të mund të ndodhte vetëm pas rishikimit të buxhetit.

“Projektet që kanë filluar në vitin 2019, ose më herët nuk mund të ndalen, janë ndalur projektet e vitit 2020. Kjo pasi të hyrat kanë rënë shumë si asnjëherë deri tash, ndërsa na kanë dalë obligime të reja me pakon emergjente. Parat e pakos emergjente duhet të merren diku. Natyrisht se një pjesë e tyre do të merren nga projektet e investimeve kapitale për këtë vit. Por, ministri e ka mundësin që në raste emergjente të ndonjë projekti kapital mund të lejojë realizimin, pra vetëm pas një arsyetimi për atë projekt që është emergjent. Besoj që një rishikim i buxhetit do të ndodhë shumë shpejtë, pasi nuk do të mund të realizohen të gjitha masat pa një rishikim të tillë. Në atë rishikim vendoset se cilat prekte kapitale do të largohen për këtë vit. Por, pa një rishikim të buxhetit nuk do të ketë nisje të investimeve kapitale për këtë vit”, tha Krasniqi në një prononcim për lajmi.net.

Në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik -KRPP nuk e dinë ende nëse do të krijohen lehtësira edhe procedurat e prokurimit për investimet kapitale.

“KRPP-ja do të përcjellë situatën dhe do të veproj konform situatës së krijuar, por në realizimin e investimeve Kapitale besojmë që ndonjë përgjigje mund ta merrni në institucionet tjera si Qeveria apo ndonjë Ministri”, ka bërë të ditur për lajmi.net KRPP-ja.

Nga ana tjetër, Komunat janë lejuar që të realizojnë projektet kapitale për këtë vit. /Lajmi.net/