Kurti: U dhamë pushtet njerëzve që ishin më së paku pro koalicionit VV-LDK

Kryeministri Kurti ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media pas zhvillimeve të fundit politike dhe vendimit të LDK-së për mocionin e mosbesimit.

Lajme

18/03/2020 22:28

Kurti në këtë konferencë për media tha se problemi në qeverinë e tij ka qenë se sipas tij njerëzit që kanë qenë kundër koalicionit VV kanë marrë shumë pushtet.

“Të them të drejtën, kam njerëz që kanë parashikuar vështirësi në këtë. Në qeverinë tonë kanë marrur më shumë pushtet që s’duhet ata që ishin më së paku për koalicion. Ne vazhdojmë, sepse jemi të fuqishëm dhe të drejtë”, tha Kurti.

Kurti tutje tha se për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti Thaçi nuk është konsultuar as me KFOR-in, e që siç thotë ai është diçka absurde.

“Sot kam takuar komandantin e KFOR-it, dhe diskutuam për angazhimet tona edhe në fushën e shëndetësisë dhe sigurisë sa i përket parandalimit të përhapjes së virusit korona. Gjithashtu, aty mësova se presidenti nuk ka kontakt me KFOR-in, në këtë iniciativën e tij për shpalljen  e gjendjes së jashtëzakonshme. Për mua është absurde se si një president do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme pa konsultim me KFOR-in. Ose presidenti nuk e ka përnjëmend këtë gjë, ose njëmend ka hyrë në një fazë ku mendon që mund të bëhet një gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë pa KFOR-in e kundër KFOR-it”, tha Kurti.

Kurti u pyet edhe për faktin se a e konsideron opsionin e qeverisë teknike, për të cilën tha se qeveria e tij është politike, dhe se punët teknike kryhen përmes organeve shtetërore.

“Së pari, ish-ministri më ka kritikuar mua edhe më përpara, kurrë nuk jam hidhëruar e as nuk ja kam kthyer kritikën. Le të thonë për mua çka do”, tha Kurti. /Lajmi.net/