Ambasada amerikane i kërkon Serbisë të heqë dorë nga armatimi rus

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd tha se është e shqetësuar me faktin se Serbia blen pajisje ushtarake nga Rusia dhe i bëri thirrje Beogradit që t'i ndërpresë transaksionet me Moskën, të cilat mund të nxisin sanksione.

Lajme

06/03/2020 10:09

“U bëjmë thirrje të gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë që të heqin dorë nga transaksionet me Rusinë”, të cilat, me ligjin amerikan, rrezikojnë vendosjen e sanksioneve, thuhet në një reagim të ambasadës amerikane në Beograd, dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

SHBA-ja dhe Rusia kanë vizione shumë të ndryshme për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, thuhet po ashtu në reagim.

“Moska, në mënyrë aktive, e kundërshton integrimin perëdimor të rajonit dhe përpiqet të pengojë zgjidhjen e tensioneve ndëretnike, të margjinalizojë ndikimin e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian dhe t’i pengojë vendet e Ballkanit Perëndimor të ndjekin orientimin e tyre të pavarur”, tha Ambasada e SHBA-së në Beograd.

Komentet vijnë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi këtë javë se Serbia e ka kompletuar blerjen e sistemit raketor nga Rusia.

Vuçiq vazhdimisht është shprehur pro integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, por, në të njëjtën kohë, vazhdon t’i ruajë lidhjet e ngushta me Rusinë.