Filarmonia e Kosovës sonte mban koncert, marrin pjesë pesë artistë të huaj

Sonte në Prishtinë Filarmonia e Kosovës do të mbajë një koncert, vepër kjo e cila do të jetë premierë botërore.

ShowBiz

01/03/2020 08:14

Në Prishtinë sonte do të interpretohet vepra e cila do të jetë premierë botërore. Me shtatë vepra premiale me laramani të epokave stilistike nga baraku e deri te muzika më bashkëkohore, e me pesë artististë nga vende të ndryshme të Evropës, në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00, do të ketë koncert të orkestrës simfonike të Filarmonisë së Kosovës.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari sot ka promovuar orkestrën që do performojë nesër plot shtate vepra.

“Jemi këtu për të promovuar, koncertin e radhës të orkestrës simfonike të Filarmonisë së Kosovës që do të mbahet nesër pra ditën e dielë, me 1 mars, këtu në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Përmbajtja programore e këtij koncerti të veçantë përfshin plot shtatë vepra premiale me një laramani të epokash stilistike nga baroku e deri te muzika më bashkëkohore e shekullit XXl. Në realizimin e këtij programi ambicioz kemi ftuar pesë artistë që vijnë nga Gjermania, Italia, Zvicra dhe Polonia.. Ne kemi nderin që interpretimi i kësaj vepre në Prishtinë paraqet premierë botërore”, tha Jashari.

Solistja soprano nga Polonia, Aleksandra Gudzio tha se është hera e parë qe vjen ne Kosovë, për çka shprehu kënaqësinë që të jetë në këtë vend për këtë koncert.

“Është hera e parë për mua këtu në Prishtinë, në Kosovë, dhe më pëlqen ky vend shume, më pëlqen ky qytet, është nder i madh të jem këtu dhe të mbaj koncert e të këndoj bashkë me këtë orkestër kaq të mire dhe mezi pres për koncertin e nesërm, me këta njerëz kaq të mirë”, tha ajo.

Jashari tha se dirigjenti i këtij koncerti do të jetë Dariusz Mikulski, nga Gjermania. Është hera e dytë që Mikulski dirigjon në Filharmoninë e Kosovës.

Edhe violinisti David Alogna tha se është i kënaqur që ndodhet në Prishtinë, derisa theksoi se ky është koncerti i parë për pikolo trumbetë dhe violinë.

Otto Sauter, që luan në pikolo trumbetë tha se pret që nesër të ketë shumë të interesuar që do të vijnë të dëgjojnë këto vepra.

“Është një pjesë e mrekullueshme kur e dëgjuam herën e parë me komplet orkestrën…… Dhe mendoj që audienca do ta pëlqejë këtë pjesë, përveç kësaj ne po i mësojmë studentët në fakultet, dhe kemi disa talent të mëdhenj në klasa, dhe mezi pop res që këtë pasdite si zakonisht t’i mësojmë dhe të punojmë me ta, dhe shpresoj që shume njerëz do të vijnë nesër në koncert dhe do ta pëlqejne muzikën”, shtoi Sauter.

Dirigjent i këtij koncerti do të jetë Dariusz Mikulski, i cili vjen për herën e dytë në Kosovë për koncerte të organizuara nga Filarmonia e Kosovës.