Së paku 50 të vdekur nga koronavirusi në një qytet iranian

Të paktën 50 persona kanë vdekur nga koronavirusi në qytetin Qom të Iranit.

Bota

24/02/2020 11:09

Agjencia e lajmeve “Reuters”, raporton se deri më tani kanë vdekur 50 persona në qytetin Qom të Iranit, të cilët ishin të prekur nga koronavirusi, transmeton lajmi.net.

Ndërkaq, “Associated Press” po ashtu raporton se, numri i ri i vdekjeve është dukshëm më i lartë se numri i fundit i rasteve të konfirmuara të infeksioneve që zyrtarët iranianë kishin raportuar vetëm disa orë më parë dhe që ishte vetëm 12 vdekje nga 47 raste.

Një zyrtar nga qyteti Qom, Ahmad Amiriabadi Farahani, citohet të ketë thënë për agjencinë e lajmeve “ILNA”, se më shumë se 250 persona janë të izoluar në karantinën e qytetit.

Ai tha se brenda shifrës së re të viktimave janë të përfshirë personat që kanë vdekur nga data 13 shkurt e tutje. Megjithatë, autoritetet shtetërore raportuan se rasti i parë është regjistruar më 19 shkurt, transmeton  më tutje lajmi.net.

Kjo shifër e bën Iranin vendin me më së shumti viktima të koronavirusit pas Kinës.

Duhet theksuar se gjatë ditës së diel, Turqia dhe Iraku i mbyllën kufijtë e tyre me Iranin për shkak të frikës nga përhapja e koronavirusit.

Virusi i ri tashmë është përhapur edhe në shtetet e tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Afganistanin. /Lajmi.net/