Analiza e 6 rasteve të dyshuara për koronavirus në Shqipëri, publikohet rezultati

Task Forca e Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë u mblodh të hënën paradite në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, në lidhje me masat e marra për parandalimin e koronavirusit.

Lajme

24/02/2020 11:09

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh fillimisht se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri dhe racionalitet, duke mos i lënë vend panikut. Ajo tha se Shqipëria është e përgatitur në të gjitha kapacitetet e saj për të përballuar situatën, pasi sipas Manastirliut, në vend ka ekspertë në të gjitha fushat e shëndetit publik.

“Përballja me një virus të tillë na bën të jemi të përgjegjshëm dhe të ecim me transparencë për të gjitha masat që kemi marrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Është koha të bazohemi në fakte dhe të mos përhapim panik. Kemi ekspertët më të mirë të ISHP, të kujdesti shëndetësor, që po ndjekin hap pas hapi planin e veprimit të miratuar nga taskforca. Dua këtu t`ju ftoj si media për t`iu patur bashkëpunëtor në një situatë ku nuk kërkon panik por kërkon përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet”, tha ajo, transmeton Ora.

Më tej, Manastirliu tha se të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri. Ajo theksoi se në Shqipëri deri në tani nuk është evidentuar asnjë rast me koronavirus.

Sipas Manastirliut, 6 raste të dyshuara në vend, pas analizave nga Instituti i Shëndetit Publik, rezultuan negativ. Ajo tha se në të gjitha pikat kufitare janë shtuar masat dhe kontrollet, ku vetëm gjatë ditës së diel janë kontrolluar mbi 4500 udhëtarë.

“Ju kemi informuar për rastet, ku 6 raste të analizuar nga ISHP kanë rezultuar negative. Që nga momenti që ka patur një transmetim komunitar në Itali, ne kemi dyfishuar masat në pikat e kalimit kufitar. Vetëm dje duke shtuar ekipet tona mjekësore kemi monitoruar më shumë se 4500 udhëtarë që kanë ardhur nga vendet që kanë transmetim komunitar. Vlerësimi është bërë sipas udhëzuesve të OBSH, që tashmë janë kthyer në protokolle kombëtare të punës tonë. Jemi duke ndjekur hap pas hapi situatën dhe masat janë marrë në varësi të riskut”, deklaroi Manastirliu.

Duke mbetur te masat e marra, Manastirliu shtoi se në të gjitha pikat kufitare është dyfishuar personeli mjekësor. Ajo theksoi se po trajnohet personeli mjekësor në qendrat e kujdesit parësor shëndetësor, ndërsa tha se ka firmosur urdhrin për shtimin e kontrolleve hijeno-sanitare në sistemin arsimor.

“ Po bëhet një vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve në raport me vendin nga vijnë. Po vijon gjithë trajnimi kaskad në të gjitha strukturat e kujdesit parësor shëndetësor me informacionet që duhet të dinë personeli jonë mjekësor. Jo vetëm që po vijojmë forcimin e kapaciteteve tona mjekësore , por punojmë dhe me të gjitha strukturat e tjera. Unë kam firmosur urdhrin për masat e shtuara hijeno-sanitare në shkolla, çerdhe apo kopshte. Dua të them pika e parë e shpëtimit është të dëgjuarit e ekspertëve të fushës. Sa më shumë të dëgjojmë ekspertët dhe strukturat në lidhje me koronavirusin e ri, aq më shumë bëhemi të vetëdijshëm se nuk ka vend për panik dhe përgjegjësi”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë.