​SHBA akuzon Rusinë për fushatë dezinformuese për koronavirusin

SHBA akuzoi Rusinë se qëndron pas një fushate masive dezinformimi për koronavirusin, konfirmojnë zyrtarë të administratës amerikane.

Bota

22/02/2020 18:52

Sipas tyre, mijëra llogari ruse në Twitter, Instagram dhe Facebook, po ushqejnë një fushatë dezinformimi antiamerikane për koronavirusin duke i mëshuar sidomos teorive komplotiste.

“Duke mbjellë dezinformacion, rusët kanë zgjedhur sërish të kërcënojnë sigurinë publike”, thonë autoritetet amerikane.

”Kali i betejës për rusët ka të bëjë me teorinë komplotiste, sipas së cilës, virusi është krijuar nga SHBA si një luftë ekonomike kundër Kinës”, theksuan ato.

Strategjia e adaptuar nga Rusia të kujton ato të KGB-së gjatë Luftës së Ftohtë, kur shërbimi sekret rus mbështeste idenë se virusi HIV/SIDA ishte një shpikje shkencore amerikane./ATSH/