Në kërkim të normalitetit politik
Prej kësaj të marte i jemi kthyer, së paku sa i përket organizimit institucional të vendit, një normaliteti: Dihet kush është në Qeveri, dihet kush i prinë Kuvendit, dihet kush përfaqëson opozitën parlamentare.
Opinion
Shkruan: Blerim Shala
Krijimi i Qeverisë së re të Kosovës, me Kryeministër Albin Kurtin, që ndodhi këtë të hënë, me 3 shkurt me votimin e 66 deputetëve në Kuvendin e Kosovës, është lajmi i domosdoshëm për politikën kosovare, e cila edhe një herë u përballë me ndërlikimet dhe zvarritjet pas-zgjedhore.
Në këtë mënyrë, u tejkalua vakumi problematik dhe madje i rrezikshëm institucional.
Si i tillë, me këtë cilësinë e domosdoshmërisë, bërja e Qeverisë është lajm i mirë për politikën kosovare. Zaten, pse mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, apo kudo ku ka demokraci: Për të legjitimuar pushtetin e ri në nivel të shtetit.
Kosova kështu u bë me adresë, sa i përket Qeverisë, e cila me Kushtetutën e Kosovës, ka një mori obligime dhe përgjegjësi të cilat duhet të ushtrohen për të garantuar, mbi të gjitha, sigurinë dhe stabilitetin politik dhe financiar të vendit.
Prej kësaj të marte pra, i jemi kthyer, së paku sa i përket organizimit institucional të vendit, një normaliteti: Dihet kush është në Qeveri, dihet kush i prinë Kuvendit, dihet kush përfaqëson opozitën parlamentare.
Realisht, në këtë aspekt, politika kosovare ka qenë në një situatë të jashtëzakonshme që nga korriku i vitit të kaluar kur Ramush Haradinaj tha dorëheqje nga posti i Kryeministrit të vendit.
Do të kuptojmë, të gjithë së bashku, tash e tutje, çfarë mund të ofrojë Qeveria e re e Kosovës dhe si do të funksionojë politika kosovare.
Rendi do të ishte që së paku tash e tutje, të përpiqemi të gjithë, të jemi të matur, të qetë, të kujdesshëm në përpjekjet tona për ta ribërë një normalitet në politikën kosovare, i cili u prish që nga vera e vitit 2014-të e tutje, veçmas në zhvillimet e njohura të viteve 2015 dhe 2016, me rrëmujën parlamentare dhe jashtëparlamentare.
Kjo periudhë ndryshe, as sot e kësaj dite, nuk është adresuar si duhet, as në aspektin politik dhe as në atë ligjor. Me gjasë, kështu do të mbetet edhe tash e tutje.
Maturia është tipari i munguar në politikën kosovare, besa edhe në vlerësimet që kanë mundur të lexohen dhe të dëgjohen javëve dhe ditëve të fundit.
Ta zëmë, ka pas deklarime politike dhe diplomatike që krijimin e Qeverisë së re e lidhnin me largimin e mjegullës dhe me daljen e diellit një ditë dhjetori në Prishtinë. Apo, së fundit, edhe me reshjet e borës në Kosovë (këtë të martë), të cilat sipas një politikani, janë pasojë e krijimit të Qeverisë së re.
Po del pra që krijimi i kësaj Qeveria është një lajm meteorologjik.
Gjithashtu, kemi pas fatin (të gjithë ne), të shohim që ka opinionista të tilla politik, që kanë tërheq vijën e krahasimit në mes të krijimit të kësaj Qeveria, Konferencës së Rambouilletit që solli paqen në Kosovë (pas fushatës së Aleancës Veriatlantike), dhe Procesit të Vienës, që e bëri shtet Kosovën.
Këtu kalimthi duhet të thuhet që politika dhe shoqëria kosovare, së paku jo deri tash, me asgjë, me asnjë ceremoni, me asnjë mbledhje a ngjarje, as me ndonjë ekspozitë a koncert artistik, nuk kanë shënuar asnjëherë në të kaluarën dy datat vendimtare që Kosova u çlirua dhe që u bë shtet: 18 marsin e vitit 1999, kur në Paris, Kryesia e Delegacionit të Kosovës nënshkroi Marrëveshjen Paqësore të Rambouilletit (pa këtë nënshkrim nuk do të nisnin sulmet ajrore të Paktit NATO), dhe 2 shkurtin e vitit 2007, kur Presidenti Ahtisaari solli në Prishtinë Propozimin e tij për statusin e Kosovës, përmes të cilit, me 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës do ta shpallte pavarësinë.
Kemi ne këndejpari festa, manifestime dhe ngjarje nga më të ndryshmet, por ja që nuk kemi bërë gjë prej gjëje në rikujtimin e këtyre dy datave madhore në atë kalendarin e rrugëtimit politik dhe historik që na bëri qytetarë të lirë të shtetit të Kosovës.
Sidoqoftë, të gjitha këto vlerësime dhe analiza të vetë aktit të krijimit të Qeverisë së re të Kosovës do të harrohen së shpejti. Kujtesa në politikën kosovare edhe ashtu është një mall që ka afat të shpejtë të skadencës a të përdorimit.
Në anën tjetër, dihet që pritjet nga kjo Qeveri, tek qytetarët e këtij vendi, janë të mëdha, apo, ato janë pak a shumë në një përputhje apo baraspeshë me premtimet e dhëna gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare.
(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)