Disa media s’duhet të trajtohen më të barabarta se të tjerat
Shkruan: Alban Zeneli*
Opinion
Komisioni i Pavarur i Mediave po synon që përmes ndryshimit të kodit etik ta kufizojë radion dhe televizionin gjatë raportimit nga gjykatat. Me këtë veprim, KMP-ja do të krijojë edhe një disavantazh për këto media, krahasuar me portalet, gazetat dhe agjencitë e lajmeve.
Që një shembull fiktiv, për një rast gjyqësor, duke respektuar rregullat e propozuara nga Komisionit i Pavarur i Mediave, televizionet dhe radiot do të raportonin si në vijim.
Zhvillohet procesi gjyqësor ndaj Gent Gentit për veprën penale vrasje, dhunim dhe marrje të ryshfet në dëm të partisë sa ishte Shef i Komunës së Leshanit.
Raporti i televizioni dhe radios do të niste përafërsisht kështu: Ndaj X.Y., ka vazhduar sot procedura gjyqësorë për veprën penale A dhe B për kohën sa mbante pozitën C në komunën E…
Pra, këto media do të raportojë pa përmendur emrin e Gentit, do të zëvendësojnë se dikush po akuzohet se diku në një vend, diku në tokë, në një komunë, ka shkelur diçka ligjin. Me një fjalë televizioni, por edhe radioja s’do të tregojnë asgjë. Ose më saktë do të raportojnë diçka për të cilin publiku do të detyrohet të shtrojë pyetje dhe të kërkojë përgjigje diku tjetër se kush është i akuzuari, i cilës komunë dhe pse po ndiqet nga organet e drejtësisë.
Publiku i televizionit dhe radios do ta gjejë informacionin te gazetat, portalet dhe agjencitë e lajmeve, të cilat s’i nënshtrohen rregullimit të KPM-së. Kjo e fundit po tenton t’i kufizojë mediat audio-vizive që mos të përmendin emrat, përshkrimet ose informatat e individëve që gjykohen për kryerjen e krimeve të ndryshme.
Te portalet, agjencitë e lajmeve dhe gazetat raporti do të ishte përafërsisht kështu: Ish-kryetari i Komunës së Leshanit, Gent Genti, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Qyshkut si i akuzuar për veprat penale të vrasjes, dhunimit dhe marrjes së ryshfetit në dëm të partisë…
Problemet me këtë kod!
Draft-kodi aktual duhet të ndryshohet pasi që si e tillë paraqet një cenim të punës së përditshme të gazetarëve për informim të saktë për ngjarjet nga sektori i drejtësisë. Ky sektor është kritikuar në vazhdimësi nga raportet e ndryshme ndërkombëtare e vendore për mungesë transparence dhe efikasiteti. Prandaj, sa më shumë “probleme” për gazetarët nga raportimet prej këtij sektori do të thotë më pak transparencë dhe më pak efikasitet nga sektori i drejtësisë.
Po ashtu, ky draft-kod ia humbet të drejtën publikut të Kosovës që të informohet saktë në raport me personat që gjykohen nga ana e drejtësisë kosovare. Pa dyshim, ky është një regres edhe për lirinë e shprehjes në Kosovë.
Pastaj, dy nene më lart, KPM-ja bën një specifikim që është i mjaftueshëm në kuptimin e raportimit të saktë nga proceset gjyqësore. Sipas pikës 9, të nenit shtatë të këtij kodi, mediat nën rregullimin e KPM-së, në çdo rast duhet të japin shpjegimin e qartë ndaj një personi të identifikuar si “i dyshuar”, “autor i dyshuar”, “i akuzuar”, apo “i dënuar”. Ky përkufizim mjafton edhe në kuptim etik, pasi që askush nuk merr një epitet që nuk e ka gjatë gjykimit dhe ndërkohë heq mundësinë e lajthitjes së publikut për statusin e personave që gjykohen. Pra, ndihmon që publiku të informohet saktë dhe nuk u jep mundësi gazetarëve që për shkak të gabimeve t’i paraqesin subjektet e tyre të raportimit në cilësitë të cilat nuk i kanë.
Trajtimi i padrejtë, nëse kodi miratohet
Nëse ky draft-kod miratohet nga Komisioni i Pavarur i Mediave, pa ndryshimin apo heqjen e pikës 11 të tij, përbën një diskriminim në tregun medial të Kosovës. Siç është e njohur, tani për tani ky Komision rregullon vetëm sferën e televizioneve me transmetim tokësor, radiot dhe televizionet kabllore. Në këtë kuptim, mbesin jashtë këtij rregulli; portalet, agjencitë e lajmeve dhe gazetat, të cilat do të kishin një përparësi të madhe për raportim më të saktë, pasi që nuk obligohen t’i respektojnë vendimet e KPM-së. Kodi Etik i Mediave të Shkruara të Kosovës i miratuar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, (ku shumica e gazetave dhe portaleve mainstream janë anëtarë) nuk e ndalon raportimi me emra e mbiemra të personave që gjykohen, por vetëm kërkon që të mos prejudikohet fajësia e personave që janë subjekte të raportimit. Së këndejmi, nëse kjo rregullore miratohet, krijohet një dualitet në raportimet nga kjo fushë, pasi që mediat e rregulluara nga KPM-ja nuk do të kenë të drejtë të raportojnë me identitete të personave që gjykohen, ndërkohë që mediat tjera do ta kenë këtë të drejtë. Specifikimet e bëra në pikën 9 të draft-kodit mjaftojnë për një raportim të saktë e drejtë nga sektori i drejtësisë, rrjedhimisht, pika 11 që ndalon publikimin e identitetit të personave që gjykohen, është e panevojshme dhe duhet të hiqet nga ky kod para miratimit të tij.
Me këtë KPM, do të aplikonte “Fermën e kafshëve” të George Orwell, duke ndërtuar parimin se disa media janë më pak të barabarta para ligjit në krahasim me disa të tjera. Gent Genti, personazhi ynë fiktiv, do të jetë më pak i barabartë para qytetarëve që shohin televizion dhe dëgjojnë radio, sesa para atyre që lexojnë e shohin në portale, gazeta e agjenci lajmesh.
*Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.