Matoshi inspekton punimet në Ujëvarën e Mirushës

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka vizituar sot Ujëvarën e Mirushës, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen për realizimin e projektit “Ndërtimi i shtigjeve për këmbësor dhe biçikleta tek Ujëvara e Mirushës”, në vlerë 384 mijë euro, e që financohet nga MMPH.

Lajme

04/12/2019 15:33

Siç njofton kumtesa, me këtë rast ministri Matoshi, së bashku me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kanë vlerësuar se ky projekt ani pse i vonuar do të këtë ndikim të madh në zhvillimin e turizmit në këtë monument natyror të rëndësisë së veçantë.

“Është e çuditshme që për gjithë këto vite pas luftës së fundit në Kosovë, nuk kemi pasur investime në vendet dhe bukuritë më të mira natyrore që ka Kosova”, tha Matoshi.

Ai tutje tha që si shtet duhet të bëjmë më shumë për zhvillimin e mirëmbajtjen e monumenteve natyrore që kemi, duke bërë kështu që këto vende të vizitohen nga turistë vendorë e ndërkombëtarë.

“Me këtë projekt planifikohet ndërtimi i shtigjeve per këmbësor dhe për biçikleta, do të këtë ulëse për vizitorë, ndriçim dhe gjelbërim”, tha ministri Matoshi.

Ndryshe, projekti është i paraparë me planin hapësinor të zonës së mbrojtur të Mirushës dhe do të zgjasë dy vjet. /Lajmi.net/