Si t’i ruani fëmijët nga trauma pas një tërmeti?
Tërmetet në Shqipëri u përjetuan nga të gjithë ne, por pasojat mendore që la tek njerëzit do të ndihen pas disa javësh thonë psikiatrët.
Lifestyle
”Frika është njerëzore deri në kufirin kur situata është anormale. Ne të papërgatitur për këtë situatë anormale do të përdorim të gjithë mekanizmat tanë të reagimit, pra askush nga ne nuk duhet të shqetësohet për çfarë deri tani kemi përjetuar.
Pothuaj gjysma e personave që kanë vuajtur stresin pastraumatik, fillojnë të shfaqin shenja të çrregullimit”.
”Ne aktualisht jemi në stres akut normal. Kur kalojnë 4 javë atëherë rrezikojmë që ne të bëjmë çrregullim të stresit akut pas traumës.
Pas 4 javëve tek njeriu nuk shkrihet gjendja traumatike si çdo gjë që ka kurbën e vet, bie edhe intensiteti i përjetimit të traumës dhe parashikohet që shumica jonë të kalojë në normalitet”, është shprehur Arjana Rreli, psikiatre.
Kjo gjendje siç pati sqaruar ajo për lapsi.al, shfaqet me disa simptoma që janë shqetësuese.
”Gjumë i shqetësuar, personi ka vizione të traumës dhe përjeton atë moment ose fleshback-et, përsëriten e janë të pranishme, jemi më nervozë se më parë, bëhemi indiferentë, kemi humor të luhatur.
Të gjitha këto janë sinjale alarmi, se kemi çrregullime të stresit akut pas traumës. Pra kemi çrregullim të mbarëvajtjes së sistemit tonë nervor, dhe duhet kërkuar ndihma e profesionistëve”, shtoi ajo.
Gjithë çështja tani është si të mbrojmë veten dhe kontigjentet më të prekura nga trauma.
”Fëmijët e vuajnë shumë më tepër traumën. Pothuajse të gjithë nuk e kanë në përvojën e vet. Fëmija e ka fantazinë shumë të zhvilluar, ai mund ta amplifikojë stresin e vet me imazhe dhe përjetime që mund të lënë shenjë për jetën e tij për t’u shfaqur më vonë si çrregullim mendor”, shprehet Rreli.
Prindërit të gjejnë fillimisht qetësinë brenda tyre, sepse një reagim i gabuar mund të ketë më vonë një kosto të lartë.
”Një prind ansioz e përçon panikun e tij me ekstremet e përjetimit të tij, me foto, me imazhe, krahasime, dhe fëmija në këto kushte e shton më shumë ankthin brenda tij”, ka thënë psikiatria.
Prindi nuk duhet të bëjë as indiferentin në këtë situatë, pasi kështu fëmija fantazon dhe krijon një presion të fuqishëm në vetvete.
”Prindi duhet të ruajë qetësinë e tij, t’i mbajë pranë vetes fëmijët, të flasin për këtë fenomen natyror”, tha ajo.
Njerëzit janë të ndryshëm dhe secili bën zgjidhjen e tij të momentit.
”Trauma na gjen të papërgatitur, na gjen edhe në terren të stresorëve të tjerë që bën që ne të humbim kontrollin, të na kapë paniku i momentit. Në tentativë për të shpëtuar ne i shkojmë një ekstremi tjetër, duke u vetdëmtuar. Ne nisemi nga instinkti i parë i mbrojtjes.
Edhe nëna vrapoi për të mbrojtur fëmijët dhe veten. Qetësia dhe menaxhimi i stresit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm një fjalë për t’u thënë”, thotë ajo.