Hamëz, Shaban dhe Adem Jashari përjetësohen në bronz në Drenas
Me rastin e festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit të Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1443), të Ismail Qemailit (1912), Ditëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljes së parë publike të UÇK-së, u përjetësuan në bronz shtatoret e heronjve Shaban, Hamëz dhe komandantit legjendar Adem Jashari, në sheshin “Fehmi Lladrovci”, në Drenas.
Lajme
Për të inauguruar kompletimin e figurave të historisë sonë në sheshin “Fehmi Lladrovci”, kanë marr pjesë; Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci, Kryeministri Ramush Haradinaj, Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, Kryetari i Komunës së Skënderaj, Bekim Jashari me familje, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përfaqësues të tjerë nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Luginës së Preshevës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familje të dëshmorëve e qytetarë të tjerë të dy komunave.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci para të pranishmëve tha se për herë të parë, pas kalimit në faqen me të ndritshme të historisë së kombit shqiptar, sot, janë sërish bashkë me ne, të shkrirë në bronz, Shaban, Hamëz e Adem Jashari.
“Këto tri shtatore, tejkalojnë çdo përmasë të shtatoreve, sepse, po bëhen pjesë e komunës tonë, ashtu siç kanë qenë gjithmonë në mendjet e zemrat tona, me jetën e veprën e tyre, me ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektit që kishin për neve, që të vazhdojmë deri në çlirim, shtet formim e shtet ndërtim, Ne nuk do të ndalemi me punën tonë, zotimin tonë për të zbatuar ligjin, me parimin se askush nuk është mbi ligjin, me transparencë e llogaridhënie, jo vetëm para ligjit, por edhe para këtyre tetë heronjve, të këtij sheshi madhështor”, ka thënë Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Me fjalë rasti është drejtuar edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci i cili tha se sheshi “Fehmi Lladrovci” po madhështohet edhe me përurimin e shtatoreve të, bashkëluftëtarëve, figurave me emblematike, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari.
“Sot në këtë ditë të festës së Pavarësisë, të festës së Flamurit Kombëtar, të ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jasharit, të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), janë sublimuar të gjithë angazhimet për çlirim të vendit. Dhe sot sheshit “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, po madhështohet edhe me përurimin e shtatores së Shaban Jasharit, Hamëz Jasharit dhe Adem Jasharit, sot po fuqizohet e po madhështohet ky shesh i figurave të bashkëluftëtareve tanë të Ilazit, Rasimit dhe Bedrisë”, është shprehur ndër të tjerash Presidenti, Hashim Thaçi.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “Drenasi sot po përuron tri figurat emblematike të historisë sonë të re, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, të cilët në familjen e heronjve të Jasharajeve, nderuan epokat dhe u ngritën të parët për t’i dhënë zemër popullit, të mos bijën në dorën e pushtuesve”, deklaroi Kryeministri Haradinaj.
Kurse, fjalë rasti, pati edhe lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
“Përjetësimi i Shaban Jasharit me të bijtë Hamzën dhe Ademin, në Drenas, po bëhet në këtë ditë të shënuar të krenarisë dhe sakrificës kombëtare, ditës së flamurit dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Rezistenca, përpjekja e popullit tonë nëpër shekuj dhanë shumë dhe bënë shumë sakrifica që ne të jetojmë me identitet, dinjitet dhe me të gjitha vlerat kombëtare”, ka theksuar lideri Ahmeti.
Në emër të familjes Jashari, fjalën mori Rifat Jashari, i cili pati këtë mesazh urimi.
“Urime kjo ditë, urime shtatoret, ishalla i mbajmë me nder, jo vetëm këto, por të gjitha shtatoret që ekzistojnë në kombin shqiptar”.
Fjalë rasti pati edhe përfaqësuesi i OVL-UÇK, Hysni Gucati.
Për të shënuar këtë ditë, dy kryetar të Komunave, Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci së bashku me drejtor të drejtorive të dy komunave dhe këshilltar të Asambleve Komunale kanë bërë homazhe në Kompleksin e varrezave të Jasharajve në Prekaz, në Kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Morinë dhe në Kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Gllanasellë.
Në sallën e Kulturës në Drenas, është mbajtur edhe Seancë Solemne e dy Kuvendeve Komunale, ku e ka kryesuar Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Labinot Halilaj dhe merrnin pjesë, kryetarët, Bekim Jashari e Ramiz Lladrovci, Anëtar të Kuvendeve Komunale të dy komunave, drejtor të drejtorive të dy komunave dhe shumë qytetarë.
Me këtë rast, kryesuesi Halilaj mes tjerash në fjalimin e tij theksoi “Sheshi ‘Fehmi Lladrovci’ i mungonte diçka për ta kompletuar. Jo, për të kompletuar si projekt, por, si histori e lavdishme. Ndaj, sot pikërisht në këtë datë të historisë, po finalizohet me vendosjen e shtatorëve të figurave me të ndritura të popullit shqiptar, Shaban, Hamëz e Adem Jashari”, ka thënë Kryesuesi Halilaj.
Kurse, Kryetari i Komunës së Skënderaj, Bekim Jashari, ka thënë se sot sheshi “Fehmi Lladrovci” po pasurohet shpirtërisht dhe po bëhet më frymëzues për gjeneratat e ardhshme për lirinë.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi shfaqur gatishmërinë, për të punuar në realizimin e idealëve të heronjve tanë, barazinë para ligjit, qeverisje transparente me llogaridhënie, si kushte të domosdoshme për mirëqenien tuaj, zhvillimin e komunave tona, Drenicës dhe Kosovën tonë të dashur”, ka deklaruar Kryetari Bekim Jashari.