Pacolli ka një mesazh të qartë për Vuçiqin: Ju keni vetëm një shans – ta njihni Kosovën
Ministri i Jashtëm i në detyrë, Behgjet Pacolli, në një intervistë për televizionin boshnjak “Face”, ka folur për zhvillimet politike në rajon, mundësitë për arritjen e një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë dhe për marrëdhëniet me Bosnjen dhe Hercegovinën.
Lajme
Pacolli, i cili njëherësh është një biznesmen i njohur botëror dhe ish-president i Kosovës, ka thënë se me Serbinë mund të diskutohet për gjithçka, por jo për tri gjëra, Pavarësinë e Kosovës, Kushtetutën e Kosovës dhe kufirin.
Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri Pacolli tha se ka një mesazh të qartë: “Vuçiq, ju keni vetëm një shans – ta njihni Kosovën. Ky është realiteti. Kosova ka lindur dhe nuk ka kthim prapa. Ishte zgjidhja e vetme, dhe gjithçka tjetër do të shkojë më lehtë”, tha diplomati kosovar.
Pacolli vuri në dukje se të njëjtën gjë dikur ia kishte thënë edhe Millosheviqit, duke theksuar se Kosova ishte një shtet i lindur prej kohësh.
Po ashtu, Pacolli theksoi se demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, me pretendim për shkëmbimin e territoreve është zgjidhje e pamundur dhe shumë e rrezikshme.
Kryediplomati kosovar në këtë intervistë erdhi edhe me një ide interesante për krijimin e një zone të lirë ekonomike që do të përfshinte një pjesë të jugut të Serbisë, veriun e Kosovës dhe Sanxhakun.
Pacolli e parashikon atë si një hapësirë të veçantë ekonomike që do t’i besohej një koorporate botërore të menaxhimit, me përfshirjen e Bashkimit Evropian në infrastrukturë.
“Ne do të sjellim në ndërmarrje globale, do të kishim një taksë simbolike dhe në dhjetë vjet do të mund të punësonim 300,000 njerëz. Kjo do të krijonte një bazë zhvillimi midis nesh dhe do të bëhej një paradhomë të cilës BE-ja thjesht do t’ia hapte derën dhe të gjithë së bashku do të hynim brenda këtij bashkimi”, tha Pacolli.
Duke folur për raportet midis dy vendeve, Pacolli tha se është për të ardhur keq që Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën, dhe po ashtu është shumë për keqardhje kur qytetarët e të dyja vendeve përballen me pengesa të shumta sidomos në aspektin e lëvizjes së lirë, tregtisë së ndërsjellë dhe zhvillimin e bizneseve.