Projekti i autorrugës Komoran – Klinë e Epërme ngec në Skenderaj
Projekti i autorrugës Komoran – Klinë e Epërme, për të cilin Ministria e Infrastrukturës ka dhënë 13 milionë euro në fillim të vitit 2018, ka ngecur në pjesën e Skenderajt, meqë 5 shtëpi dhe disa pjesë të tokave që nuk janë shpronësuar pengojnë përfundimin e zgjerimit të rrugës nga Polluzha deri në Klinë të Epërme, ndërkohë projekti është duke u realizuar pa probleme në pjesën e Drenasit, nga Polluzha deri në Gllobar.
Lajme
Edhe pas më shumë se dy vjetësh prejse ka marrë timonin e Komunës së Skenderajt, kryetari Bekim Jashari nuk ka arritur t’i bindë t’i gjithë pronarët e pronave përgjatë të cilave është duke u realizuar projekti i zgjerimit të rrugës Klinë e Epërme – Polluzhë që të mos pengojnë realizimin e projektit, ndonëse që në fillim të mandatit të tij Ministria e Infrastrukturës e Republikës së Kosovës kishte ndarë edhe 13 milionë euro të tjera për ta përfunduar komplet projektin nga Klina e Epërme e Skenderajt deri në Komoran të Drenasit, ndërsa vetëm për shpronësimet në pjesën e rrugës Polluzhë – Klinë e Epërme 1.7 milion euro.
Në anën tjetër, pjesa e projektit nga Polluzha deri në Gllobar është duke u realizuar pa problem të natyrës së shpronësimit dhe për këtë arsye projekti i kësaj pjese të rrugës është në përfundim e sipër dhe nuk ka zgjatur më shumë se një vit, shkruan gazeta Zëri.
