Nuk ka finale pa unitet

Uniteti politik i kosovarëve është ai çelësi që mund të hapë dyert e finales së dialogut me Serbinë, në trajtë të njohjes midis dy shteteve.

Opinion

30/09/2019 11:50

Nga Blerim Shala

Dialogu i pakryer i Kosovës me Serbinë, i cili është në pritje  (apo, në vendnumërim), që nga fundvjeshta e vitit të kaluar, është i pranishëm në synimet dhe prononcimet e të gjithë kryeprotagonistëve të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, por pa ndonjë dëshirë që për te të hapet një diskutim i mirëfilltë dhe i sinqertë politik.

SHBA-ja dhe katër shtetet tjera më të mëdha perëndimore  (të cilat së bashku bëjnë Quint-in), qysh në mesin e muajit gusht, përmes një Deklarate me shkrim, patën bërë me dije çfarë presin nga instancat më të larta qendrore të Kosovës, pas këtyre zgjedhjeve: Dialogu me autoritetet e Serbisë duhet të vazhdojë sa më parë, tarifa e Qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të pezullohet.

Matthew Palmer, i Deleguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, në të gjitha prononcimet e tij për temën e dialogut të Prishtinës dhe Beogradit, ka ri-theksuar qëndrimin e Washingtonit zyrtar për pezullimin e tarifës, vazhdimin e dialogut dhe për konkludimin e tij sa më të shpejtë  (brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm), me njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Të gjithë pretendentët për postin e Kryeministrit të Kosovës, e dinë fare mirë se ky qëndrim i SHBA-së dhe i Perëndimit, nuk ka si të mos përfillet, mbi të gjitha, për shkak që përmbyllja e këtij dialogu dhe Marrëveshje eventuale, ligjërisht detyruese në mes të dy shteteve, është kusht pa të cilin nuk bën, nëse synohet sigurimi i qëndrueshmërisë së brendshme dhe ndërkombëtare afatgjatë të Kosovës.

Megjithatë, ajo çorodia politike që ka marrë hov në skenën politike vendore në pesë vitet e fundit, dhe që është shfaqur edhe në trajtë të një ftohjeje evidente në raportet tona me SHBA-në  (gjë që natyrisht mohohet në parim prej të gjithë politikanëve dhe partitë tona, të cilët e dinë shumë mirë se cili është raporti i qytetarëve të rëndomtë të Kosovës me SHBA-në dhe me Perëndimin në përgjithësi), ka lënë gjurmë të dukshme edhe në mënyrën se si i qasemi temës së dialogut.

Dialogu shërben në masë të madhe për qërimin e hesapeve në mes nesh, për të fituar pak më shumë vota përmes yryshit të popullizmit  (që ka mbërri edhe tek ne), për ta marrë si shkas që megjithatë, duhet respektuar këshillat dhe sugjerimet e Amerikës, apo, që ai  (dialogu), është një obligim  (apo edhe barrë), ndërkombëtarë, të cilin duhet kryer.

Ka dhjetëra arsye pse kemi mbërri këtu ku jemi, kur flitet për dialogun e Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet, negociatat, dialogu i Prishtinës dhe Beogradit po zhvillohet, në një formë apo tjetrën, tash e 22 vjet. Ai është bërë edhe në luftë, përmes Konferencës së Rambouilletit, edhe në periudhën e Administrimit ndërkombëtarë të UNMIK-ut, nëpërmjet të Procesit të Vjenës, madje, edhe pas pavarësisë, në formatin e Brukselit.

Pa Rambouilletin, nuk do të ndodhte lufta e Aleancës Veri-Atlantike për imponimin e paqes në Kosovë.

Pa Vjenën, nuk do të mbërrinim tek pavarësia e Kosovës.

Pa finalen e dialogut të Brukselit, i cili do të duhej të pasonte pasi që të formohen institucionet e reja qendrore të Kosovës, nuk do të mund të mbërrihet tek Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënien në mes të Kosovës dhe Serbisë, për njohjen reciproke, e cila pastaj, do të duhej t’i hapte dyert Kosovës për anëtarësim në OKB, dhe për përshpejtimin e përpjekjeve tona për anëtarësim në Paktin NATO dhe në BE.

Në dy etapat e para të dialogut me Serbinë, në atë të Rambouilletit dhe të Vienës, pati ndodhur, gjithsesi me ndikimin e jashtëzakonshëm amerikan, uniteti politik për këto bisedime, si dhe për qëllimin e tyre.

Po të mos ishte ky unitet, nuk do të kishim as Rambouillet, as Vienë.

Kështu nuk është sot. Ndërsa pa mbërrit te ky unitet, nuk do të mund të arrijmë aty ku objektivisht duan të gjithë liderët institucional dhe politik të vendit: Tek njohja formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Uniteti politik i kosovarëve, dhe këtu me gjasë na duhet sërish përkrahja e SHBA-së, është ai çelësi që mund të hapë dyert e finales së dialogut me Serbinë, në trajtë të njohjes midis dy shteteve.

Është ky një rast historik të cilin nuk bën ta humbim.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)