‘Lojërat patriotike’ dhe miqësia me SHBA-në
Njëri prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së ardhshme të Kosovës duhet të jetë mëkëmbja e rarporteve me SHBA-në, në atë nivelin e para vitit 2015-të.
Opinion
Fushata joformale zgjedhore ka marrë hov me të madhe ditëve të kaluara. Kështu do të jetë deri të premten e parë të tetorit, apo, deri me 4 tetor.
Realiteti i mirëfilltë politik, ekonomik dhe social në vend, fare pak do të trajtohet nga politikanët dhe partitë e vendit në ditët dhe javët e ardhshme.
Nuk është në pyetje apo në trajtim, gjendja aktuale në Kosovë. Ofertat e larmishme për ndryshimin e saj, me një dinamikë krejtësisht joreale politike dhe ekonomike, do të përballen në debatet e shumta televizive, në paraqitjet e shumta mediatike të pretendentëve për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës prej nëntorit e tutje.
Asgjë e re. Kështu ka qenë edhe më parë. Kështu do të jetë edhe tash e tutje.
Sidoqoftë, ka tema apo çështje të cilat nuk do të duhej të merrnin trajtat e zotimeve dhe premtimeve parazgjedhore, të cilat Qeveria e ardhshme e Kosovës nuk do të mund t’i përmbushë dot. Pastaj, ka tema dhe çështje të cilat realisht, i qëndrojnë sipër garës së rëndomtë politike për më shumë mandate në Kuvend, për më shumë pushtet në Qeverinë e re.
Kjo ishte zatën arsyeja kryesore pse shtetet e Quint-it edhe para se të niste kjo fushata joformale, patën dalë me një Komunikatë me shkrim në rikujtim të të gjithë politikanëve dhe partive kosovare që dialogu në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, duhet të mëkëmbet sa më parë (dihet që ai ka vendnumëruar që nga vjeshta e vitit të kaluar), dhe që për më shumë, Prishtina dhe Beogradi duhet të synojnë sa më parë arritjen e Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Në ndërkohë, siç e dimë të gjithë, Washingtoni zyrtar ka bërë një tjetër hap shumë konkret në konfirmimin e përkushtimit të tij për të ndikuar thelbësisht në procesin e dialogut: Ka emëruar Matthew Palmerin si Emisar Special për Ballkanin Perëndimor.
Palmer, në të gjitha prononcimet e tij publike ka përsëritur qëndrimin e prerë të Administratës së sotme Amerikane që ky dialog do të duhej të përmbyllej me njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Për më shumë, duket që korniza kohore brenda të së cilës do të duhej mbërritur në këtë cakun e projektuar nga Washingtoni, lidhë dhjetorin e këtij viti, me verën e vitit të ardhshëm (në mos edhe më herët).
Dihet pra substanca e bisedimeve (njohja reciproke), dihet pak a shumë edhe afati kohor i zhvillimit të këtij dialogut, dihet që SHBA-ja do ta ketë një rol shumë të rëndësishëm në këtë finalen e procesit që ka nisur objektivisht para 21 viteve (të përfundimit të kontestit të madh politik dhe historik në mes të dy shteteve dhe dy popujve).
Çfarë mbetet për tu definuar apo zbardhur është mënyra se si BE-ja do të organizohet në këtë dialog, prej 1 nëntorit e tutje (kur Komisioni i ri merr detyrën), dhe kush dhe si do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.
Sidoqoftë, Washingtoni zyrtar nuk ka lënë fare vend për dyshim se çka pret nga Qeveria e ardhshme e Kosovës, kur bëhet fjalë për dialogun.
Mbi të gjitha, për shkak që kryerja e rrëfimit të rëndë dhe tragjik politik dhe historik me Serbinë, është interes jetik i Kosovës, por edhe duke marrë parasyshë këtë përkushtimin e qartë të SHBA-së, politikanët dhe partitë tona që janë pjesë e garës zgjedhore, do të duhej t’i shmagnin ‘lojërat patriotike’ në fushën e dialogut, veçmas kur duhet që këto ‘lojëra’, dhe mungesa e një kohezioni të brendshëm politik në vend, që prej vitit 2015-të e këndej, ka ndikuar shumë dhe për të keq në marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe SHBA-së.
Ne si rëndom mund të betohemi dhe të zotohemi disa herë në ditë që kemi miqësi të përjetshme me SHBA-në, që kurrë nuk do të harrojmë se çfarë ka bërë Amerika për ne në ‘ditët më të errëta’ të këtij populli dhe këij vendi, por në katër vitet e fundit, ka pasë raste shumë konkrete kur fjala e SHBA-së nuk është përfillur fare prej nesh, edhe pse ajo me asgjë nuk i ka mëdyshur interesat e shtetit të Kosovës.
Njëri prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së ardhshme të Kosovës duhet të jetë mëkëmbja e rarporteve me SHBA-në, në atë nivelin e para vitit 2015-të.
(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)